Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga skadimi i mandatit, komisioni dypalësh për reformën zgjedhore, nuk ka shënuar asnjë përparim, në mbylljen me sukses të punës së tij njëvjeçare. Mungesa e konsensusit për amendamentet për rikompozimin e KQZ dhe krijimit të një trupe gjyqësore për zgjedhjet, lë pa përmbushur qëllimin kryesor për të cilin u ngrit ky komision, arritjen e standardeve për zgjedhje të lira e të drejta.
Këto mbeten edhe nga dy rekomandimet më të rëndësishme të ODHIR-it, për të plotësuar kuadrin e reformës zgjedhore, që është në vetvete kushti kryesor i Bashkimit Europian, për negociatat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Dy bashkëkryetarët e komisionit, socialisti Et’hem Ruka dhe demokrati Emin Gjana, premtuan në mesjavë, se do t’i japin zgjidhje me çdo kusht këtyre çështjeve. Por të gjetur përballë rrezikut të dështimit, Ruka dhe Gjana, duke mbështetur njëri tjetrin kanë deklaruar, se segmente dhe individë në politikën shqiptare, po punojnë për pengimin e reformës zgjedhore. Ata nuk kanë pranuar të identifikojnë publikisht këto segmente, por thanë se për këtë janë në dijeni edhe institucione jashtë Shqipërisë.
Në fakt, garant për reformimin e kodit elektoral kanë hyrë dy organizata të rëndësishme europiane. OSBE dhe Këshilli i Europës më 5 Prill të vitit 2002, firmosën bashkë me kryetarin e PS Fatos Nano dhe kryetarin e PD Sali Berisha, dokumentin për krijimin e një komisioni bipartizan, që do të hetonte zgjedhjet e vitit 2001 dhe mbi bazën e konkluzioneve do të miratonte me konsensus amendamentet për reformën elektorale.
Një vit më vonë, bilanci i komisionit që nuk hetoi kurrë zgjedhjet me 5 raunde të Qershorit dhe mandati i të cilit u shtyh tre herë, nuk duket pozitiv. Gjatë kësaj kohe kanë kaluar me konsensus, vetëm 4 paketa me amendamentet, që përcaktojnë rolin e medias, policisë dhe administratës shtetërore, në një proces elektoral, si dhe hartimin e listave të zgjedhësve.
Mbetet pa u zgjidhur çështja e sistemit elektoral, financimet e partive në një fushatë zgjedhore, votimi i emigrantëve në vendet ku punojnë dhe jetojnë, janë duke u negociuar modalitetet për rikompozimin e KQZ dhe trupës gjyqësore, e cila do të jetë e para dhe e fundit, që të vendos për fatin e një procesi elektoral në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço