Anëtarët demokratë nuk morën pjesë në komisionin elektoral duke përjashtuar vetëm përfaqësuesin e Partisë Demokrate të Re Nard Ndoka. Komisionerët socialistë për reformën zgjedhore kërkojnë të bashkëpunojnë me të gjithë faktorët politikë për të plotësuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it një ditë para se të votohet në parlament heqja e vetos e dy partive të mëdha. Bashkëkryetari socialist Elmaz Sherifi shpreh përgjegjësinë që ka mazhoranca e majtë për të çuar deri në fund reformën elektorale e kërkon që të gjendet një zgjidhje ligjore për të zhbllokuar punën e komisionit.

Elmaz Sherfi: “Ne jemi të hapur për këtë bashkëpunim për të gjetur zgjidhjet e nevojshme. Ne e ftojmë grupin e ekspertëve pikërisht këtu të fokusohet, të gjejë një formulim që harmonizon këto dy elemente, por kjo nuk mund të jetë kusht që, pa gjetur zgjidhjen e pëlqyeshme nga Partia Demokratike, ne të bllokojmë të gjithë procesin dhe unë jam dakord me ju që kjo nuk është kompetenca e komisionit. Faktorët politikë le të shikojnë mundësinë e zgjidhjes dhe të kërkesës që ju mund të paraqisni. Ne në emër dhe të kolegëve i ftojmë përsëri kolegët tanë të Partisë Demokratike, kanë kohë të reflektojnë dhe të vazhdojmë punën.”

Ndërsa Ndoka kërkoi që komisioni të vazhdojë punën edhe pa praninë e anëtarëve të Partisë Demokratike duke i zëvendësuar në njëfarë mënyre me deputetë të partive të tjera nëse hiqet e drejta e miratimit të vendimeve nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Nard Ndoka: “Ky komision nuk do të zvarritet, nuk do të tërhiqet zvarrë nga asnjë forcë politike, janë probleme mjaft të rëndësishme. Ajo që mua më shqetëson dhe sot jam prezent si përfaqësues i PDR-së është që vetë Partia Demokratike nuk është e qartë realisht se çfarë kërkon. Partia Demokratike duhet të jetë e hapur që ajo i ka dy përfaqësuesit e saj dhe përfaqësuesi i tretë që mund të jetë një masë balancuese do të vijnë nga Partia Demokrate e Re.”

Komisioni nuk diskutoi asnjë pikë që është parashikuar në axhendë. /tvklan.al