Komisioni Evropian njoftoi paketën e gjashtë të investimeve për Ballkanin Perëndimor, që pritet të mobilizojë 1.2 miliardë euro investime.
Kjo paketë do të mbështesë tetë investime të reja kryesore në furnizimin me ujë dhe kanalizime, trajtimin e ujërave të zeza dhe transportin hekurudhor, si dhe inovacionin dhe transformimin e gjelbër në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Investimet do të kryhen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shpjegoi qëllimin e kësaj pakete:
Ursula von der Leyen, presidente e KE: Plani ynë i investimeve prej 30 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor po realizohet, me këtë paketë të re prej 1,2 miliardë eurosh. Ai forcon lidhjet rajonale me infrastrukturën cilësore dhe na afron më shumë, që është qëllimi ynë përfundimtar. Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor po ndërtojnë të ardhmen e tyre evropiane. Këto investime, së bashku me reformat e nevojshme dhe aksesin në tregun tonë të vetëm, do të përgatisin ekonomitë e partnerëve tanë për t’iu bashkuar Unionit tonë .
Për komisionarin e zgjerimit Oliver Varhelyi ky plan synon ta afrojë Ballkanin më shumë me BE.
Oliver Varhely, komisioner për fqinjësinë dhe zgjerimin: Plani Ekonomik dhe i Investimeve i BE-së për Ballkanin Perëndimor po zbatohet me shpejtësi, me ambicien e përbashkët për ta sjellë rajonin më afër BE-së, siç tregon paketa e re e investimeve e miratuar . Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor ka bërë një ndryshim të vërtetë gjatë 15 viteve të fundit, duke përfshirë ndihmën e rajonit për të lidhur infrastrukturën rrugore, hekurudhore, energjetike dhe digjitale, përballimin e krizës energjetike dhe pandemisë COVID-19. Ne mezi presim të vazhdojmë të punojmë pasi synojmë të përshpejtojmë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në si pjesë e Instrumentit të ri të Reformës dhe Rritjes prej 6 miliardë eurosh dhe të bëjmë një ndryshim në terren për të mirën e qytetarëve dhe bizneseve.
Sipas njoftimit, investimet e reja do të zhvillohen bazuar në tri prioritete të Planit të Investimit: Rindërtimi dhe rehabilitimi i infrastrukturës së ujësjellësve dhe kanalizimeve në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë; progresi në infrastrukturën hekurudhore në Korridorin 10, me lidhje të shpejtë ndërmjet Beogradit dhe Velika Plana, që mundëson qarkullim më të shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave në rajon; si dhe mbështetje për sektorin e biznesit në rajon.
Plani mbledh deri në 3 miliardë euro investime, duke përfshirë 9 miliardë euro grante të BE-së nëpërmjet IPA III, gjatë një periudhe shtatëvjeçare. Nga kjo shumë, 5 miliardë euro janë dedikuar përmes Planit të Investimeve Ekonomike për rajonin.
Klan News