Në zonat e legalizuara pronarët e vjetër do të përfitojnë kompensim të pronave në vlerën e tokës bujqësore ndërsa pronarët e rinj do të paguajnë çmimin e tregut për truallin me diferencën: shteti do të investojë në infrastrukturën e zonës. Kjo është strategjia e ligjit të ri të legalizimeve të zonave informale.
Artan Lame: “Unë, ish-pronarëve ua marr si tokë bujqësore, sepse tokë bujqësore e kanë dhe i kompensoj po për tokë bujqësore, sepse atë po ju marr. Është merita e imja si shtet që po e kthej si zonë të urbanizuar dhe këtë mbivlerë që ua shes atyre që e kanë zënë, pronarëve të rinj ua shes si tokë truall, sepse me këtë diferencë çmimi do të ndërtohet infrastruktura në atë zonë, pra është e domosdoshme kjo diferencë çmimi, sepse përndryshe me çfarë parash do të ndërtohet infrastruktura atje.”
Deputeti demokrat Ridvan Bode deklaroi se një nismë e tillë bie në kundërshtim me ligjin e pronave që parashikon kthim të pronës sipas çmimit të tregut.
Ridvan Bode: “Të zbatohet ajo që aktualisht ekziston në ligjet tona, pra në qoftë se ne kemi thënë që ish- pronarët do të marrin vlerë tregu sipas çimimit që do të përcaktojë komisioni i hetimit të pronave, nuk ka pse të futemi me një ligj tjëtër dhe të themi: prit se kjo kategori ish-pronarësh, mbi të cilët është ndërtuar në mënyrë të paligjshme, do të paguajë për tokë bujqësore.”
Komisioni parlamentar i ekonomisë diskutoi dhe për afatet e procesit të legalizimeve. Pas diskutimeve u miratua sanksionimi i një afati dyvjeçar për legalizimin e plotë të zonave informale. /tvklan.al