Komisioni i jashtëm ka miratuar me konsensus rezolutën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndërsa të hënën në seancë plenare pritet që drafti që synon të nxisë qeverinë shqiptare të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat për t’iu bashkuar familje së madhe evropiane, të marrë dhe miratimin me konsensus maksimal të parlamentit.
Arta Dade: “Ne gjykojmë se pavarësisht defekteve dhe mosarritjeve kur është fjala për interesa madhore të vendit ne do të japim konsensusin për të gjitha reformat. Pavarësisht dhe mendimeve të ndryshme që ka brenda vendeve të BE-së, ne gjykojmë që konsultë me të gjithë aktorët, partnerët evropian, por edhe aktorët kryesorë vendas, Kryeministri i Shqipërisë edhe pas konsultimeve me presidencën çeke të BE-së në një kohë sa më të përshtatshme të bëjë aplikimin që Shqipëria të marri statusin e vendit kandidat.”
Anëtarët e komisionit të jashtëm janë shprehur në një mendje se nuk mund të detyrojnë qeverinë shqiptare për të përshpejtuar afatet kohore për bërjen e kërkesës zyrtare për marrjen e statusit.
Megjithatë sipas tyre anëtarët e kabinetit qeveritar, madje dhe vetë kryeministri do të raportojnë në mënyrë periodike përpara komisionit mbi ecurinë e reformave të ndërmarra në kuadër të anëtarësimit në BE.
Preç Zogaj: “Ne biem dakord që nuk ka asnjë që komisioni i jashtëm dhe Kuvendi i vendosë limitin qeverisë. Qeveria ta zgjedhë vetë momentin më të përshtatshëm dhe më të shpejtë. Për ne është e rëndësishme që qeveria nxitet, inkurajohet nga i gjithë spektri parlamentar në këtë nisëm kombëtare.”
Fatmir Mediu: “Këtë rezolutë e konceptoj si një përgjegjësi e përbashkët dhe një sfidë e përbashkët pa dallime të forcave politike. Por e konceptoj edhe si një lloj angazhimi të institucionit të Kuvendit, komisionit të jashtëm për të vendosur ekzekutivin përballë gjithë detyrimeve që ai ka, për të ecur në hapat dhe ritmin e duhur për këtë çështje. Dhe mendoj zoti kryetar që përveç miratimit të kësaj rezolute me konsensus është shumë e rëndësishme që ne të marrim disa hapa tjera të domosdoshëm. Të ftojmë autoritetet më të larta të ekzekutivit edhe kryeministrin edhe ministrat përkatës në komisionin e jashtëm, për t’u njohur me agjendën që ata kanë për të realizuar qëllimet të cilat përmban kjo rezolutë.”
Pas miratimit të tij të 9 nga parlamenti, qeverisë i hapet rruga t’i dorëzojë kryeministrit çek,vend që mban presidencën e radhës të BE-së kërkesën zyrtare për marrjen e statusit.
Por që Shqipëria të arrijë të përfitojë statusin e vendit kandidat, duhet që vendi më parë të plotësojë një sërë kushtesh, Mes të cilave kushti më i rëndësishëm është ai për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, të lira dhe brenda standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka