Komisioni parlamentar i ligjeve duket do të mbyllë procesin e ndryshimeve në kodin zgjedhor. Këtë ka lënë të kuptohet Valentina Leskaj kryetarja e grupit kuvendor socialist. Komisionit të posaçëm parlamentar për reformë zgjedhore me mandat të shtyrë, disa herë i ka përfunduar afati në mesin e muajit mars.
Valentina Leskaj: “Natyrisht që nuk mund të ketë diskutime në një komision të cilit i ka përfunduar mandati, pra që nuk ekziston më. Ai komision nuk ekziston më dhe do të thotë që mënyra se si mund ti diskutojmë këto prapë mbetet për tu shqyrtuar.”
Opsionin e mbështetur nga disa parti për vendosjen e një pragu kombëtar sipas Leskajt e përjashton vetë sistemi, gjë që përkthehet në zbatim të pragut natyror në të 12 rajonet.
Valentina Leskaj: “Besoj që pragu është i qartë, sepse pragu është i përcaktuar, është prag natyral pra që e përcakton vetë sistemi.”
PS ka gati ndërkohë një draft paraprak të ndryshimeve në kodin elektoral për të cilat ka punuar një grup ekspertësh. Drejtues të partisë më të madhe në opozitë kanë dhënë garanci se i gjithë procesi do të përfundojë brenda sesionit parlamentar të verës./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi