Skadon afati i vendosur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për numërimin e votave dhe dorëzimin e procesverbalëve nga KQZV-të e Tiranës. Sipas zëdhënësit të KQZ, Sinani, vazhdon të mbetet e bllokuar nga njësia numër 1 e cila nuk ka dorëzuar materialet dhe kryetarët e KQZV-ve të kryeqytetit kanë kërkuar shtyrje të afateve të dorëzimit, gjë që nuk është pranuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Ndrëkohë kanë mbërritur procesverbalet e një tjetër qyteti problematik, Durrësit dhe rezultatet e tij do të shpallen rreth orës 3 pasdite.

Erton Sinani:-“Përsa i përket KQZV-së së bashkisë Durrës, krejt baza materiale dhe tabelat e rezultateve janë sjellë brënda afatit mbrëmjen e djeshme, Durrësi është i gatshëm për përpunim dhe në orët e tjera do ta kemi edhe këtë të dhënë. Për sa i përket Tiranës, informacioni që marrim nga KQZV-ja bashkisë së Tiranës flet për vazhdim të aktivitetit të tyre, të përpunimit të tabelave të rezultateve të ardhura nga KQZV-të e njësive bashkiake, problem mbetet KQZV-ja e njësisë bashkiake numër 1 e cila akoma nuk ka bërë të mundur dërgimin e tabelave të rezultateve dhe bazës materiale te KQZV-ja e bashkisë së madhe. Ndërkohë që Komisioni Qëndrorë i Zgjedhjeve do të marrë një vendim brënda pak orësh për sa i përket shkeljes së afatit nga KQZV-të që nuk kanë vepruar brënda asaj hapsire kohore të përcaktuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe nga Kodi Zgjedhor. Besoj se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të shprehet në mënyrë mjaft të saktë qoftë për ndëshkimet administrative apo për masat e tjera që po merren në konsideratë”.

Deri në këto momente pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve janë depozituar procesverbalet dhe janë shpallur rezultatet për të paktën 140 komuna dhe bashki të vogla në shkallë vëndi. Sipas përllogaritjeve të deritanishme në bazë të këtyre rezultateve është shpallur edhe renditja e përkohëshme e partive politike për zgjedhjet vendore të 12 Tetorit.
Kështu deri tani kryeson Partia Socialiste e Shqipërisë me 33.01%, ndjekur nga Partia Demokratike me 30.72%, Partia Social Demokrate me 6.67% dhe në vënd të katërt Partia Agrare Ambientaliste me 4.37%./tvklan.al