Pas institucioneve të tjera të pavarura edhe Prokuroria e Përgjithshme është shprehur se nuk do të dërgojë ekspertë në Komisionin antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Përgjithshme, ky institucion ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë,  me Komisionin e Posaçëm për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtesisë, por jo të dërgojë ekspertë.

“Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij.”

Ftesën e refuzuan edhe Gjykata Kushtetuese, SPAK dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. SPAK në sqarimin e bërë tha se prokurorët i kanë përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse.

Ndërsa Gjykata Kushtetuese tha se për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të gjykatës.

Komisioni antikorrupsion kërkoi nga këto institucione të përcaktojnë ekspertët që do të punojnë me 3 nëngrupet e ngritura: Mirëqeverisja, Sundimi i Ligjit dhe Antikorrupsioni.

Klan News