Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, bashkë me ish-drejtues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, janë marrë zyrtarisht të pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.

Avokati ligjor i ish-ministrit Mediu, Ardian Visha, pasi u njoh me aktet dhe akuzat e prokurorisë, deklaron publikisht se veprimet procedurale nga ana e akuzës janë  dashakeqe.

Ardian Visha: “Gjykoj si profesionist që ngresh akuzën e shpërdorimit të detyrës për një kategori të caktuar njerëzish, është njësoj si të ndërtosh më lejoni të përdor dy objektet simbol të kryeqytetit tonë, të ndërtosh 15-katëshin e Tiranës mbi themele qerpiçi. Pikërisht ky atribuim i organizuar, kolektiv dhe i mirë-organizuar dhe në aspektin e prezencës tuaj këtu. Gjithsesi juve ju falënderoj, ka të bëjë me atë çka unë do e konsideroja si indice e malinjitetit të organit të prokurorisë në këtë veprimtari procedurale ndaj klientit tim, pse jo edhe të tjerëve.”

I shoqëruar nga avokati, ish-ministri Mediu u paraqit në prokurorinë e përgjithshme rreth orës 13 e 30 minuta.

Ardian Visha: “Nuk ka asgjë të re nga kërkesa paraprake e prokurorisë për heqjen e imunitetit të zotit Mediu në parlament me atë që sot ish-atribuar ai akuzë për shpërdorim detyrën e tij. Kjo është e parë përjashto, thuajse nuk ka asgjë, përjashto cedimin që ka akuza nga një fakt i atribuar me parë publikisht zoti Mediu, që është shmangia e forcave ushtarake nga procesi i demontimit në Gërdec. Sot ky qëndrim i prokurorisë është i ndryshuar dhe ky është i vetmi ndryshim mes aktit të njoftimit të akuzës, akuzës vet dhe kërkesës paraprake bërë në parlament për heqjen e imunitetit.”

Po në të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës në lidhje më shpërthimin në Gërdec, prokurorët kanë vënë dhe 4 ish-ushtarakët e shkarkuar Luan Hoxha ish-shefi i shtabit të përgjithshëm, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar Shpëtim Spahiu, ish-komandanti i forcave mbështetëse Zija Baja dhe ish-sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes Ardian Mullai.

Të gjithë ish zyrtarë të lartë të ushtrisë, kanë qëndruar për më shumë se një orë në zyrat e prokurorisë së përgjithshme, ku janë njohur dhe me akuzat./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani