Ministri Basha fiton një tjetër betejë me Prokurorinë e Përgjithshme. Gjykata e Apelit ka rrëzuar sërish organin qendror të akuzës në lidhje me çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Shkalla e dytë e gjyqësorit ka lënë në fuqi vendimin gjykatës së Tiranës, e cila deri në dhjetor të vitit të shkuar, e zhveshi ministrin nga akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe i cilësoi veprimet e prokurorisë si të pavlefshme.

Vendimi i gjyqtares Fatmira Hajdari u aprovua dhe në apel, ku trupi gjykues i kryesuar nga Dalip Bushi i cilësoi si të paligjshme edhe një herë veprimet e kryera nga organi i prokurorisë pas nëntorit të vitit 2008, kohë kur ish-ministri i transporteve Basha, u vu nën akuzë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderë. Çështja përfundoi në gjykatën e apelit me kërkesë të prokurorisë, e cila e ankimoi vendimin e Gjykatës së Tiranës për të mos marrë parasysh veprimet e organit të akuzës pas përfundimit të afateve të hetimit.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është një tjetër goditje për Prokurorinë e Përgjithshme, në lidhe me këtë çështje, veprimet e së cilës pala mbrojtëse i ka cilësuar me sfond të pastër politik./tvklan.al

Gazetar: Julian Kasapi

Montazh: Vilma Halili