Dy ligjet me te forta ne luftën kundër krimit, ai për sekuestrimin mbi asetet dhe ligji Antimafia kane mbledhur ne një takim pune krerët me te larte te Ministrisë se Brendshme, prokurorisë dhe policisë.
Te miratuara vetëm pak kohe me pare, këto dy ligje kane qene objekt i takimit te pare te Ministrit te Brendshëm, Lulzim Basha dhe kryeprokurores Ina Rama.
Ministri Basha deklaroi se qëllimi i këtij takimi ne zyrën e prokurores se përgjithshme ishte evidentimi i fushave kryesore ku nevojitet thellimi i bashkëpunimit mes strukturave te përbashkëta.
Lulzim Basha: “Në një takim pune midis Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, midis prokurores së përgjithshme dhe Ministrit të Brendshëm dhe zyrtarëve të tjerë për të diskutuar mbi bashkëpunimin, forcimin e bashkëpunimit. Kemi diskutuar një sërë çështjesh duke përfshirë disa aktuale, siç është hyrja në fuqi e amendamenteve për konfiskimin e aseteve, ligjin Antimafia, forcimi i bashkëpunimit në një sërë fushash që ka të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe për më shumë mund t’ju them që përvoja e deritanishme e funksionimit, të bashkëpunimit polici-prokurori në bazë të urdhrit të përbashkët të prokurorit të përgjithshëm dhe Ministrit të Brendshëm është shumë e mirë”./tvklan.al
Krahas luftës së vazhdueshme kundër kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, strukturat hetimore të policisë dhe prokurorisë pritet te thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin dhe zbulimin e krimeve të vjetra, thuhet ne deklaratën për shtyp te Ministrisë se Brendshme dhe te Prokurorisë se Përgjithshme.
Fryt i bashkëpunimit te këtyre institucioneve janë arrestimet e bujshme te krerëve te disa bandave te rrezikshme, goditja e grupeve kriminale dhe arrestimi ne kohe rekord i autoreve te vrasjeve te ndodhura kohet e fundit, ne Durrës, Devoll dhe Tirane./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani