Një ditë pas komunikimit të akuzës nga ana e prokurorisë për shpërdorim detyre në bashkëpunim, ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu nga foltorja e parlamentit ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke e cilësuar tendencioze aktin e prokurorisë, sipas të cilit ky organ brenda 1 viti ka ndryshuar akuzën ndaj tij.
Fatmir Mediu: “Dje prokuroria ndryshoi akuzën, duke më akuzuar tashmë së kam bashkëpunuar me ushtarakët në ministrinë e mbrojtjes. Po kam bashkëpunuar me ushtarakët në ministrinë e mbrojtjes, pasi kjo ka qenë pjesë e detyrimit tim ligjor. Prokuroria gjithashtu më akuzoi në fillim se e kisha bërë gjithçka për interes dhe lidhjeve të mia personale dhe të interesit tim me Delijorgjin. Tani paskam stimuluar një kompani amerikane SAC, e cila ka bërë kontratë me ministrinë e mbrojtjes dhe i ka shkaktuar shtetit një dëm se nuk ka paguar tatimet 4425 dollarë, unë deklarova se kemi bërë demontimin në zbatim Marrëveshjen Stabilizim-Asociimit. Dje prokuroria më akuzon se nuk kam zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Për më se një vit kërkova të pyetesha nga prokuroria e përgjithshme, por asnjëherë nuk mora përgjigje.”
Më tej ish-ministri i mbrojtjes u ndal tek ato që ai i quajti akuza në media, të cilat sipas tij janë bërë nga segmente të caktuara për të manipuluar dhe ardhur më tej dhe gjykime politike.
Fatmir Mediu: “Nga mënyra se si u iniciua procesi dhe si u hetua, nuk prisja ndonjë gjë tjetër, përveç se një procesi të motivuar politikisht. Ky proces të nderuar kolegë deputet nuk duhet të shndërrohet në një fazë dhe besoj se gjykata do të gjykojë me drejtësi, ligjshmëri dhe ndershmëri edhe në emër të atyre viktimave.”
Këto deklarata të ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu vijnë pas thirrjes në prokurorie të mërkurën, ku së bashku me disa ushtarakë të lartë ky institucion u komunikoi atyre akuzat për shpërdorim detyre në bashkëpunim./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro