Komiteti për mbrojtjen e Kushtetutës ka gati kërkesën zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shënon dhe fillimin e procedurave për organizimin e referendumit popullor. Ndër emrat e spikatur që kanë firmosur kërkesën krahas anëtarëve të komitetit, figurojnë dy ish-kryetarët e shtetit Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, si dhe analisti Fatos Lubonja, një mbështetje që do të jetë dhe më e madhe sipas kryetarit të komitetit Artur Zheji.

Artur Zheji: “Nuk mendojmë se mund të ketë forcë në botë, në Shqipëri dhe kjo nuk është retorike dhe metaforë, që mund të ndalojë vullnetin e popullit në momentin kur ai është i ndërgjegjësuar për të ushtruar të drejtën e vetë të demokracisë direkte që është referendumi. Mendojmë që, që tani kjo është një lajm plus kemi sensibilitete të spikatura të cilat do t’jua bëjmë të njohura dhe të përfaqësive diplomatike më të rëndësishme që janë sot të pranishme në Shqipëri pikërisht për këtë proces.”

Andrea Stefani: “Nuk ka asnjë pengesë juridike në rast se do të kemi pengesa në KQZ apo kudo tjetër kjo do ë jetë dhe një shenjë për publikun shqiptar se drejtësia është e kapur rrezikshëm nga politika dhe shumicat parlamentare.”

Komiteti nuk përcaktojë ndonjë afat se kur do të dorëzohen 50 mijë firma për mbajtjen e referendumit. Sipas një premtimi të hershëm të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta do të garantohen të paktën 500 mijë deklarata qytetare. Sondazhet sipas kryetarit Zheji tregojnë se mbështetja është e madhe, por procesi sipas tij nuk do të trajtohet kurrsesi si betejë me shifrat./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi