Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar denoncimin e një zonje, e cila në vitin 2009 deri në Gusht 2020 ka punuar si teknologe në një fabrikë uji.
Pas 4 vitesh, kur e dinte që i kishte mbyllur marrëdhëniet me këtë fabrikë, zonjës i vijnë njoftime nga tatimet, që duhet të paguajë tatim, pasi rezulton që është në dy punë njëra prej të cilave fabrika e ujit në fjalë.
“Nga Prilli i vitit 2019 deri në Gusht të vitit 2020 kam punuar si teknologe në këtë fabrikë, ku kisha si detyrim vetëm një ditë në javë, ditën e shtunë, të isha në ambientet e fabrikës normalisht për çështjen e rregullit dhe të dokumentacionit. Pas shumë kohësh vijojnë duke më ardhur shumë email-e për vitet në vazhdim. Më 4 Tetor të këtij viti unë paraqitem në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe më informojnë për të gjitha detyrimet që unë kisha ndër vite, nga viti 2020 dhe tani që flasim. Deri më datën 4 Tetor që unë jam paraqitur tek tatimet unë rezultoj akoma si e punësuar. Pra që në momentin që ai shleu detyrimin për vitin 2020, i mbylla kontaktet me ata me idenë që do të më kenë bërë shkëputjen. Ajo që unë kërkoj është normalisht heqja e emrit tim nga lista e tatim-paguesve, duke qenë se unë rezultoj që bëj dy punë të ndryshme aktualisht, dhe shlyerja e detyrimit që ata kanë ndaj meje për të gjitha vitet që ne po flasim,” tha për mikrofonin e “Stop” denoncuesja.
Me kamera të fshehtë denoncuesja shkon në fabrikën e ujit, ku pasi prezantohet, të gjithë e njohin si teknologen e ndërmarrjes.
Qytetarja: X…, pronarin! Ke ndonjë numër të X…t?
Punonjësja: Për çfarë e doni?
Qytetarja: Sepse jam teknologia e fabrikës.
Punonjësja: X…?
Qytetarja: Po!
Punonjësja: Ta ka ngarku ndonjë detyrë për sot, apo…?
Qytetarja: Jo, jo vetëm kam një gjë urgjente me X…! Dua ta takoj nga afër!
Punonjësja: X…?
Qytetarja: Po!
Punonjësja: S’e besoj, se vjen sot.
Punonjësja: Për çfarë e do këtë?
Qytetarja: Po shikoj, mos ka numrin e telefonit këtu.
Administratori i fabrikës bën sikur nuk ka dijeni për problemin e saj dhe premton ta zgjidhë. Por ai nuk bëhet më i gjallë.
Administratori: Përshëndetje!
Denoncuesja: Flas me X…?
Administratori: Po!
Denoncuesja: Dhe gjithë andej në katër vite rezulton emri i kompanisë suaj. Pse vazhdon akoma emri im aty?
Administratori: Po s’e di dhe unë mirë. Kanë ndryshu këta punonjësit tonë dhe ka ngel aty. S’e kam dhe unë idenë shumë mirë. A më çon ndonjë faturë, ta kem unë? Ma çon dot?
Që një fabrikë uji të punojë duhet të ketë licencën e tipit B, që e detyron të ketë edhe një teknolog. “Stop” iu drejtua në AKU dhe drejtori i menaxhimit të riskut, Martin Jorgaqi na thotë që emri i zonjës rezulton si teknologe, që nga viti 2019. Prej 4 vjetësh kjo kompani gënjen ish-punonjësen dhe mashtron shtetin.
Martin Jorgaqi, drejtor i menaxhimit të riskut AKU: Në databazën tonë figuron që në këtë datë është kryer inspektimi dhe zonja është drejtuese teknike pranë këtij subjekti për prodhimin e ujit.
Gazetarja: Mund të na konfirmoni që vazhdon të jetë emri i saj si teknologe edhe sot që flasim, në 2024-ën?
Martin Jorgaqi, drejtor i menaxhimit të riskut AKU: Sipas dokumentacionit zonja duhet të jetë në detyrë, pasi nëse drejtuesi teknik do të ishte ndërruar atëherë subjekti sipas bazës ligjore duhet të kishte bërë kërkesë për inspektim të ri dhe vlerësim për një drejtues teknik tjetër.
Sipas avokatit, Klaudi Zholi, kompania ka kryer vepër penale, ndaj dëmshpërblimi ndaj palës së dëmtuar, nuk është i mjaftueshëm.
Klaudi Zholi, avokat: Në lidhje me rastin konstatojmë se shoqëria ka shkelur ligjin duke përdorur në mënyrë të paligjshme licencën e kësaj shtetaseje për të ushtruar aktivitetin e saj edhe pse kontrata e punës ishte zgjidhur katër vite para. Kjo është bërë me qëllimin që kompania të ketë të drejtën të ushtrojë aktivitetin në veprimtarinë e saj në prodhimin e ujit, pasi pa një licencë teknologeje kjo kompani nuk mund të ushtrojë dot aktivitetin. Në lidhje me detyrimin që kjo shtetase ka në tatime për këtë veprim të kryer nga ana e kompanisë, kompania duhet ta rimbursojë atë duke e paguar./tvklan.al