Asgjësimi i mandarinave të cilat përmbanin pesticide të dëmshme për shëndetin krijoi shqetësim për të gjithë konsumatorët shqiptarë. Eksperti i AKU, Martin Jorgaqi nga studioja e “Aldo Morning Show” në Tv Klan tha se konsumimi i tyre nuk ka efekt të menjëhershëm, por këshillohet që sidoqoftë të bëhet kujdes.
Nga ana tjetër ai garantoi publikun se asnjë kokërr nga mandarinat me pesticide nuk është shpërndarë në treg.
“Nëse këto produkte mbi normë konsumohen nuk ka një veprim të menjëhershëm, por normalisht është e këshillueshme që këto të mos përdoren e të mos konsumohen. Ne përveçse funksionarë apo përgjegjës në detyra të caktuara dhe ne jemi konsumatorë të këtyre produkteve. Lidhur me 3 problematikat që erdhën nga sistemi RASFF unë e siguroj konsumatorin dhe e garantoj që asnjë nga këto kokrra mandarina nuk është shpërndarë në treg. Në dy raste janë asgjësuar në mënyrë totale dhe në praninë e mediave ai asgjësimi që u bë dje në qarkun e Fierit dhe gjithashtu në qarkun e Vlorës, ndërsa ngarkesa e tretë ka ngelur në Kroaci dhe nuk është kthyer ende. Ndërkohë ne kemi marrë të gjitha masat që kur të kthehen të shkojnë në destinacion”, tha eksperti./tvklan.al