Lajme Arkiva – TV Klan 2004

INSIG-u vazhdon të humbasë treg. Kompania e sigurimeve me shumicë aksionesh ende shtetërore ka humbur afro 5% të tregut vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti, sipas burimeve zyrtare të komisionit të mbikëqyrjes së sigurimeve. Tashmë INSIG radhitet e treta në ndarjen e tregut, pasi SIGAL-it dhe SIGMA-s.

Rënia e INSIG-ut u bë e dukshme sidomos pas vitit 2001, e këshilluar edhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilat vunë në dukje se duhen çmonopolizuar tregu i sigurimeve. Por rënia e tregut të INSIG-ut do të reflektohet tashmë edhe në çmimin me të cilin do të privatizohen 60% e aksioneve ende shtetërore.

Pavarësisht humbjes së tregut, INSIG mban vendin e parë për zhdëmtimin e klientëve në rast të aksidenteve apo dëmtimit të pronës. INSIG paguan afro 34% të dëmeve totale të tregut të sigurimeve. Sipas të dhënave të pesë muajve të parë të këtij viti, konsumatorët kanë rritur ndjeshëm kujdesin ndaj pasurive. Kontratat për sigurimin e pasurive janë shtuar duke rritur të ardhurat me 42%, ndërkohë që konsumatorët janë treguar gjatë këtij viti më pak të kujdesshëm ndaj sigurimit të aksidenteve dhe shëndetit./tvklan.al