Pak ritme muzikore të njohura janë dashur që të nxehnin mijëra njerëzit e mbledhur në stadiumin “Qemal Stafa” të martën, kur artistët e njohur të momentit, Gabriela Cilmi, Giusy Ferreri dhe grupi gjerman Reamonn, pushtuan për më se katër orë arenën e stadiumit.

Kantautorja italiano-australiane, 17-vjeçarja Gabrielja Cilmi, një nga këngëtaret më të reja në botën muzikore, çeli koncertin ku sigurisht nuk mungoi hiti me të cilin bëri jehonë kudo në botë, “Sweet About Me”, realizuar në 2008-ën.

Pas Cilmit, skenën e ndezi këngëtarja italiane, Giusy Ferreri, që prej zërit të veçantë e të pazakontë e kanë krahasuar me Amy Winehouse, Bessie Smith dhe Nina Simone.

Giusy Ferreri, një zë i afirmuar në botë i muzikës italiane, performoi këngët e albumit të saj të ri “Gaetana”, ku përfshihen edhe këngët e njohura për të gjithë “Non ti scordar mai di me”, apo “Novembre”.

Bashkë me këngëtaret kanë kënduar e kërcyer edhe fansat e tyre në stadium, duke i dhënë jetë kështu edhe orëve të shkurtra të kësaj nate vere në kryeqytet.

Në fund dolën në skenë Reamonn që me performancën e pazakontë mbajtën zgjuar deri në 2 të mëngjesit adhuruesit në stadium, me këngët hite “Tonight” dhe “Super girl”, që përmbylli koncertin./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani