Romina Selenica është kirurgia plastike që ka qenë shpeshherë pjesë e paneleve në “Rudina” në Tv Klan, por këtë herë vjen për të rrëfyer historinë e saj. Në moshën 18-vjeçare ajo vendosi që pas 12 vitesh studimi në piano, ta braktiste për të ndjekur ëndrrën e mjekësisë në Itali.

Me shumë punë e mund, u diplomua me rezultate të larta dhe vazhdonte praktikën në Shqipëri me planet që Italia do të kthehej në shtëpinë e saj. Të gjitha këto plane u përmbysën një ditë kur humbi koncertin e Giusy Ferreri-t por takoi djalin që do t’i vidhte zemrën, Anduelin.

Romina Selenica: Unë kur kam qenë 26 vjeç, sapo kisha mbaruar universitetin e Mjekësisë së Përgjithshme, vija te një nga spitalet në Shqipëri për të bërë praktikën. Në fakt, kjo ka qenë e vetmja pjesë e fatit në jetën time: takimi i ne të dyve. Nuk duhet të vija unë në Shqipëri, duhet të vinte një kolegia ime. Në moment të fundit, ndërrohet dhe ishte koncerti i Giusy Ferreri dhe një mikeshë më thotë “do vish?” sepse duke qenë se jeton në Itali, është këngëtarja ime e preferuar. Mua qëllon më vonohet avioni, nuk e kap dot koncertin dhe insistojnë që unë të shkoj në kafe ku ishte edhe Andueli. Në fillime nuk jemi përshëndetur.

Rudina Magjistari: Pra po të kishe hyrë në koncert, s’do kishe shkuar në kafe dhe s’do ishit parë?

Romina Selenica: Absolutisht. Edhe nëse do kishte ardhur koelgia ime dhe jo unë në atë udhëtim, me jetën që bënim ishte e pamundur që ne të takoheshim. Në atë kafe ne as nuk jemi përshëndetur, as nuk kemi folur, madje ka qenë një tension reciprok ku jemi ironizuar me njëri-tjetrin.

Rudina Magjistari: U gjendët në një tavolinë apo si ndodhi?

Romina Selenica: Ishin miq të përbashkët që na kishin ftuar si Andin, si mua dhe unë pashë një njeri të sigurt, një njeri që fliste me plot pasion për punën, për profesionin e tij dhe thoja “o Zot i madh, ka gjysmë ore që vetëm flet”, ishte totalisht e kundërt plus që ishte një moment që unë e kisha ndarë mendjen që nuk do të vija më në Shqipëri, sapo kisha mbaruar studimet, kisha filluar punë dhe mendoja se jeta ime do të ishte Italia dhhe ishte çdo gjë kalimtare, nuk kisha sy për të parë ndoshta as të mirën që po më vinte. Falë insistimit të Anduelit, i them e ke bërë një gjë të mirë në jetë, Andueli më kontaktoi në rrjetet sociale dhe po shihte refuzim dhe thotë “nuk e kuptoj çfarë halli ke”, i them dëgjo, unë jam thjesht tranzit këtu, do iki. Thotë “po mirë, në rregull, bëjmë një gjë perëndimore, mos e merr kaq seriozisht”.

Rudina Magjistari: “Bëjmë një gjë perëndimore”, ç’donte të thoshte ai me këtë?

Romina Selenica: Domethënë diçka jo shumë serioze, le të kemi një flirt.

Në një nga bisedat e takimit të parë mes tyre, Romina kujton se si mes ngacmimeve i tha Anduelit se “për të dalë me të, duhet të humbiste 40 kilogramë”. Pas 2 muajsh, ritakimi do të ishte befasues dhe aty lindi dashuria.

Romina Selenica: Jemi ritakuar në Pisa pas dy muajsh dhe unë nuk e kam njohur Anduelin, aq ishte dobësuar dhe thashë nëse ky njeri ka kaq shumë vullnet për të bërë diçka se realisht të ndryshosh fizikun apo të heqësh dorë nga një e mirë siç është ushqimi është sakrificë shumë e madhe dhe përtej kësaj zbulova edhe shpirtin e bukur të sakrificës së Anduelit. Lindi një dashuri./tvklan.al