GJKKO lëshon 8 masa sigurie për ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë
Këtë të Enjte është arrestuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj. Lajmin e bën të ditur gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Paraprakisht mësohet se ky arrestim lidhet me koncesionin me vlerë 100 mln Euro të sterilizimit të mjeteve kirurgjikale për të cilin hetimet kanë nisur që para 3 vitesh.
Daci raporton po ashtu se janë 8 urdhër arreste të lëshuara për rastin me vendim gjykate (GJKKO), për ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë: 2 persona “arrest me burg”, 2 “arrest shtëpiak” dhe 4 “detyrim paraqitje”.
Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci për 4 ish-zyrtarë është caktuar masa e “detyrim paraqitje”, përkatësisht për Naile Ajazin, Arben Gjatën (Rektor i Universitetit të Mjekësisë), Genc Burazerin dhe Pertef Mersinin. Të katërt akuzohen për “falsifikim dhe shpërdorim detyre”.
2 ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë u lanë në arrest shtëpie: Saimir Kadiu (drejtor ekonomik) dhe Marsela Serjanaj (drejtoreshë juridike).
Mësohet se në pranga është vënë dhe biznesmeni që ka marrë tenderin, Ilir Rrapaj. Ky i fundit është marrë në pyetje më herët nga SPAK pasi ai zotëronte 40% të aksioneve të kompanisë që fitoi tenderin e koncesionit të sterilizimit.
Masat e sigurisë dhe akuzat për secilin nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë:
-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”
-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”
-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”
-Marsela Serjana: arrest shtëpie për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre
-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh’ dhe “shpërdorim detyre”
-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”
-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”
-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”
Kujtojmë se për këtë çështje u mor në pyetje më 4 Gusht të këtij viti, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, për afro 2 orë e 30 minuta. Denaj dha deklarime lidhur me koncesionin e sterilizimit të nënshkruar në vitin 2015 nga ministria e Shëndetësisë.
Për koncesionin e sterilizimit më herët është marrë në pyetje edhe ish-ministri Ilir Beqja. Dhënia e koncesionit të sterilizimit u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare “SaniService”.
SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”. Në 2020-ën çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.
Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.
Mësohet po ashtu se në kontratën e lidhur mes ministrisë së asaj kohe me kompanitë që kishin fituar koncesionin ishte në favor të “Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë” dhe jo të shtetit. SPAK përpos 8 urdhër arresteve të miratuara nga ana e gjykatës, vijon hetimet për çështjet pasi koncesioni është kryer në bazë të dokumentave, për të zbuluar se si u bë e gjithë procedura.
Koncensioni i sterilizimit, ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani thirret në SPAK (Video)
Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në videon e siguruar nga gazetarja e Klan News Glidona Daci shihet Cani teksa futet në ambientet e SPAK, aty ku siç raportohet është thirrur për t’u marrë në pyetje lidhur me koncesionin e sterilizimit.
Cani ka shërbyer si ministër Financash nga viti 2013 deri në vitin 2016 dhe sipas Dacit ai do të japë sqarime lidhur me një shkresë të firmosur në vitin 2015.
“Vendimi për masat u firmos më 23 Qershor”, SPAK vijon hetimet për koncesionin e sterilizimit
Vendimi i masave të sigurisë nga GJKKO për 8 ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë është firmosur nga gjyqtari Erjon Bani më datë 23 Qershor të këtij viti dhe është kërkuar që të ekzekutohen ditën e djeshme.
Kështu raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci këtë të Enjte nga SPAK.
“Duke qenë se prokurori Kondili ka pasur informacione që jo të gjithë ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë e ka mbajtur sekret këtë vendim për të paktën gati dy muaj”, thotë Daci.
12:34 – “Sterilizimi”, SPAK jep informacionin zyrtar
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon 8 masave të sigurisë të lëshuara nga GJKKO për ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në njoftim renditen masat për secilin zyrtar, ashtu siç u raportua më herët, si dhe akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve.”
Informacioni zyrtar nga SPAK:
Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e policisë gjyqësore janë kryer një numër jashtëzakonisht i madh veprimesh hetimore në analizë të të cilave (deri në këtë fazë të hetimit) me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.49 akti datë 23.06.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:
1. Caktimin ndaj personit nën hetim K.R. të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
2. Caktimin ndaj personit nën hetim I.Rr, të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
3.Caktimin ndaj personit nën hetim M.S. të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
4.Caktimin ndaj personit nën hetim S.K. të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
5. Caktimin ndaj personit nën hetim A.Gj. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
6. Caktimin ndaj personit nën hetim P.M. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
7.Caktimin ndaj personit nën hetim G.B. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
8. Caktimin ndaj personit nën hetim N.A. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenvete” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
Vendimi për caktimin e masave të sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.
13:41 – Mbi 3 orë në SPAK, Cani: S’kam lidhje me koncesionin e sterilizimit, nuk jam ministri që ka kryer pagesat
Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani ka dalë nga ambientet e SPAK pas thuajse 3 orë e gjysmë.
Në deklaratë për gazetarët ai tha se ka zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin dhe se nuk ka asnjë lidhje me koncesionin e sterilizimit të aseteve kirurgjikale pasi në kohën që janë kryer pagesat për të, ai s’ishte më në detyrë si ministër Financash.
“Jua thashë shumë herë, të njëjtën përgjigjie kam. Nuk jam ministri që ka kryer pagesat, se kur është pranuar koncesioni unë jam larguar nga detyra. Unë nuk e di se si ma bëni lidhjen…Janë plotësuar kërkesat sipas ligjit dhe natyrshëm që do jemi dakord. Keni dijeni se legjislacioni në fuqi të dënon penalisht në rast se veproni ose jo në përputhje me ligjin?! Nëse plotësohet dokumentacioni unë jam i detyruar të zbatoj ligjin, se çfarë ndodh më pas është histori më vete, nuk jam unë më ministri që i di këto gjëra”, deklaroi ai.
/tvklan.al