Leku, monedha jonë kombëtare, mund të zëvendësohet shpejt nga monedha e përbashkët europiane, euro. Në krah të mbështetësve të futjes së Shqipërisë në Eurozone është rreshtuar edhe kryeministri Berisha. Gjatë një konference ndërkombëtare të organizuar në Tiranë nga Banka e Shqipërie me temë “Stabilitetin financiar dhe monetar”, kreu i qeverisë tha se futja e euros në vend është e pashmangshme, për t’i bërë ballë presioneve që vijnë mbi ekonomitë e rajonit.

Sali Berisha: “Unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita, kur ne duhet të dorëzohemi, s’duhet të vazhdojmë betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro, se nuk na mbetet rrugë tjetër. Vendet tona, që jemi jashtë anëtarësisë të Bashkimit Euopian, kemi gjithsej 1 % e prodhimit të brendshëm të Bashkimit Europian. Është e domosdoshme që disa marrëdhënie financiare, me Bankën Qendrore Europiane, duhet të negociohen. Ekonomitë tona po eurizohen, normal. Kur shoh që edhe skeptikët britanikë kanë filluar të mendojnë ndryshe për euron, imagjinoni ju se ç’mund të mendojmë ne për presionet që na bën ajo.”

Efektet negative të luhatshmërisë së kursit të këmbimit janë pasqyruar tek kreditë e dhëna në valutë. Gjatë fjalës së tij, guvernatori Fullani teksa analizoi shkaqet e krizës financiare botërore solli edhe disa këshilla për të ardhmen, një nga të cilat është kujdesi me kredinë e dhënë në monedhë të huaj.

Ardian Fullani: “Në asnjë moment sistemi bankar nuk ka shfaqur shenja paniku dhe konfuzioni. Banka e Shqipërisë gjykon se arsyeja kryesore për këtë qëndrueshmëri lidhet me kujdesin e treguar këto vitet e fundit nga stabiliteti financiar dhe atij bankar. Duhet të mbahet më shumë parasysh natyra e regjimit të kursit të këmbimit si dhe pamundësia e bankave qendrore të rajonit për të shërbyer si huadhënës së instancës së fundit në valutë. Në këtë drejtim, ne duhet të mbështesim një rol më të fuqishëm të monedhës vendase në kreditimin bankar, duke e bërë kreditimin në valutë më të kushtueshëm për bankat, nëse ajo nuk mbështetet nga kursimet me pakicë në valutë.”

Në konferencë merrnin pjesë bankierë të lartë të bankave qendrore të rajonit të cilët diskutuan për çështje që lidhen me ruajtjen e stabilitetit financiar. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Financave Ridvan Bode i cili tha se pasojat e krizës botërore në Shqipëri ishin të zbehta falë punës së qeverisë dhe vigjilencës së bankës qendrore.

Ridvan Bode: “Në përputhje me parashikimet e buxhetit, qeveria rriti financimin nga tregjet ndërkombëtare, duke lejuar kështu mundësi të reja të biznesit vendas për të përfituar nga financimi i sektorit bankar shqiptar.  Falë një administrimi më të mirë të të ardhurave investimet publike gjatë këtij viti u shtatë-fishuan duke synuar kryesisht infrastrukturë rrugore dhe atë energjetike dhe duke arritur në 10% të PBB.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro