Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur deklaratave dhe akuzave të Partisë Demokratike pas Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë të organizuar nga Komisioni Europian për mbledhjen e fondeve për pasojat e tërmetit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama thotë se Shqipëria e ka lënë pas të shkuarën dhe po bën reformat që nuk janë bërë ndër vite.
“Sa më shumë Shqipëria forcon trupin e saj të brishtë, aq më shumë ata që e penguan, shfrytëzuan, dërrmuan për vite të tëra, dëshpërohen e lëshojnë gjuhën jashtë kontrollit! Tamam kur Shqipërisë i’u bë një deklaratë publike dashurie nga BE dhe bota mbarë në 17 shkurt, ata u marrosën… Mos humbim kohë me ta, janë të dënuar të përpëliten në zjarrin e urrejtjes së tyre e të çirren gjithnjë e më fort kundër nesh! Shqipëria i ka lënë pas dhe kërkon nga ne ta çojmë përpara; duke e forcuar çdo ditë, përmes reformave e punëve që s’u bënë kurrë në kohën e tyre të shkuar”, shkruan Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al