Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Organizatorët e konferencës ndërkombëtare të Hungarisë, e cila synoi të nxisë stabilitetin në ballkan pohuan se shpresat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi nga Serbia gjetën pak mbështetje. Ministri i Jashtëm shqiptar Paskal Milo dhe kryetari i PS Fatos Nano, thanë se qëllimi i tyre ishte më shumë integrimi i Shqipërisë në Europë dhe në Nato sesa nxitja e pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa shqiptarët e kosovës të përfaqësuar nga Thaçi dhe Rugova e përdorën këtë rast sipas kryetarit të organizatës “Projekt për marrëdhëniet etnike”, për të ritheksuar dëshirën e tyre për pavarësinë e plotë të Kosovës nga Serbia.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Ahrens tha se, ishte i kënaqur që diskutimi ishte i përqëndruar tek shqipëria, e ardhmja e së cilës sipas Ahrens është thelbësore për përmirësimin e kushteve në rajon. Politika e jashtme e shqipërisë tha Ahrens ka qenë e arsyeshme dhe kurrë nuk i ka hedhur benzinë zjarrit.

Konferenca e zhvilluar në kryeqytetin Hungarez vuri për herë të parë përball njëri-tjetrit liderët e shqiptarëve të Kosovës me disa përfaqësues të opozitës serbe. Por duket se statusi i shqiptarëve të kosovës të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë të kësaj krahine tani për tani është lënë në harresë./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori