Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi në konferencën kombëtare për programin, se pas fitores në zgjedhjet e 28 qershorit Shqipëria do të qeveriset ndryshe në një vend ku nuk do të fitojë politika por qytetarët. Ky ishte premtimi i numrit një të selisë rozë pasi ish-presidenti Rexhep Mejdani i dorëzoi atij librin e  propozimeve, ku përfshihen dhe 7 shtyllat e programit në të cilin ai mbështetet.

Edi Rama: “Është koha që ndryshimi të ndodhë jo për të fituar përsëri politikanët, por për të mos humbur përsëri qytetarët. Unë do të jemkryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave dhe shpresa e tyre. Qeverisja jonë do t’u japë mbrojtje të varfërve do t’u japë krah të pa punëve, do t’u japë mbështetje sipërmarrësve, do t’u japë shpresë të rinjve, do tu japë solidaritet të moshuarve, do t’u japë dinjitet të nëpërkëmburve, bujqve, minatorëve, ushtarëve të liruar, personave me aftësi të kufizuar, grave të trafikuara dhe të dhunuara, minoriteteve. Ne do t’u japim siguri shqiptarëve në jetë dhe në punë dhe do të jemi garant të jetës dhe të pronës së tyre publike dhe private duke mbështetur fort politikisht dhe financiarisht një sistem gjyqësor që do të njohë përfundimisht hapësirën e lirisë vetë kushtetuese. Duke çliruar përfundimisht mediat nga zinxhirët e padukshëm që frenojnë zhvillimin dhe pavarësinë e tyre të plotë dhe duke reformuar radikalisht forcën policore të shtetit shqiptar.”

I bindur në fitoren e politikës së re, përtej së majtës dhe së djathtës, Rama akuzoi dhe kryeministrin Berisha për keqqeverisje dhe për një politike të vjetër në shërbim të interesave personale.

Edi Rama: “Vullkani i korrupsionit që shpërtheu në Gërdec duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm u nxjerr përditë mbi sipërfaqe blozën e oxhakut familjar që qeveris Shqipërinë. Për ta mbuluar këtë blozë nga fytyra e qeverisë së tij Sali Berisha nxin përditë me zhargonin vulgar të politikës së vjetër modelin tonë të suksesit, bashkinë e Tiranës dhe derdh përditë mbi PS baltën e mllefin e dëshpërimit të tij. E kam marr përgjigjen tre herë nga populli i kryeqytetit, do ta marr këtë radhë nga populli i gjithë Shqipërisë.”

Duke kërkuar votën e shqiptarëve me 28 qershor, Rama u shpreh se vëmendja e qeverisë së majtë që do të kryesohet prej tij do të përqendrohet në 7 shtyllat e programit, që u bënë publike në krye të konferencës nga hartuesit e tij.

Programi elektoral dhe qeverisës i PS do të fokusohet në një politikë të re për arsimin, për nxitjen e prodhimit vendas, në një politikë të re për fshatin, shëndetin e  mjedisin, në një politikë të re për dhe kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë, e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro