Të ftuar: Ish-deputeti i PD Ervin Salianji dhe Arben Malaj.
Salianji: Gjyqtari që më dënoi është kapur me 30 mijë Euro dhe ka histori rozë për një sekretare
Artan Gjermeni është gjyqtari që ka dënuar me 1 vit burgim ish-deputetin e PD Ervin Salianji për rastin “Babalja”. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-deputeti demokrat Salianji u shpreh se gjyqtari Gjermeni ka qenë i akuzuar nga SHISH për lidhje me krimin.
Ervin Salianji: Gjykatësi i drejtësisë së vjetër është i akuzuar nga SHISH për lidhje me krimin, i akuzuar nga ish-Kryeministri për lidhje me bandën e Lushnjes dhe shërbëtor i bandës së Lushnjes, i kapur me 30 mijë Euro pas një sherri banal. Gjyqtari Artan Gjermeni, pas një sherri për konflikt banal për një histori rozë me një gjyqtar tjetër ku është goditur me thikë, i kanë gjetur 30 mijë Euro…
Blendi Fevziu: Ç’domethënë histori rozë?
Ervin Salianji: Histori rozë, banalitet. Ky gjyqtar është kapur dhe është zënë me një gjyqtar tjetër për një histori rozë, për punë sekretareje. Është goditur me thikë, dihet kjo dhe është publike mediatikisht. I kanë gjetur 30 mijë Euro në makinë dhe procesverbali u zhduk nga kjo Prokurori e cila më akuzon mua sot.
Blendi Fevziu: Po 30 mijë Euro ku shkuan?
Ervin Salianji: Po pra ku shkuan? Nuk di askush ku shkuan 30 mijë Eurot edhe gjyqtari është gjyqtar.
Ndër të tjera, Salianji tregoi se Artan Gjermenit i janë kapur më parë edhe 30 mijë Euro dhe ka qenë i përfshirë në një sherr me një gjyqtar tjetër për një sekretare.
Dënimi me 1 vit burg, flet ish-deputeti: Qejfin e patën me pushkatim, por nuk ia dolën dot
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji është dënuar sot nga Gjykata me 1 vit burg, pasi e kanë gjetur fajtor për denoncimin e bërë mbi dosjen “Babale”, ku sipas organit të drejtësisë ka rezultuar një sajesë.
I ftuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, Salianji tha se do ta apelojë këtë vendim dhe se sipas tij është i padrejtë. Ai tha se nëse Gjykata e Apelit do ta shpallë fajtori, atëherë do të duhet që të vuaj dënimin në burg.
“Nëse e vendosin institucionet, do shkoj në burg patjetër, në një burg të sigurisë së ulët. Këta e duan me burg, qefin e kanë pas me pushkatim, por nuk ia kanë dalë dot”.
Ish-deputeti Salianji nxjerr dokumentin e valëve telefonike për vendndodhjen e Agron Xhafajt
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i dënuar sot nga Shkalla e Parë me 1 vit burgim për dëshmi të rreme për çështjen “Babalja”, ka publikuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan hartën e valëve telefonike që tregojnë vendndodhjen e Agron Xhafajt në Vlorë.
Sipas tij, gazetari Jetmir Olldashi, “Babalja” dhe Agron Xhafaj (vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj) kanë qenë në Vlorë në të njëjtin orar, ndryshe nga sa pretendon Prokuroria.
“Dëshmia e gazetarit Jetmir Olldashi thotë që rreth orës 13:30 unë jam ulur tek lokali “Dy Palmat”. Në mëngjes, thotë gazetari, unë kam hyrë bashkë me… dhe nuk e kemi gjetur Agron Xhafajn. Pretendimi i prokurorit është që Jetmir Olldashi nuk ka qenë fare në Vlorë.
Qelizat tregojnë antenat që Agron Xhafaj ka qenë në Vlorë. Pse janë 3 antena të ndryshme telefonike? Sepse janë 3 kompani të ndryshme telefonike. Në orën 12:30-13:45 janë në të njëjtat valë. Qelizat telefonike e vërtetojnë katërcipërisht. Së pari ra pretendimi i Prokurorisë që Agron Xhafaj nuk ka qenë në Vlorë”, u shpreh Salianji në emisionin “Opinion”.
Deklarata e fortë e Salianjit: Nëse kjo është e vërtetë, tërhiqem nga politika
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka deklaruar mbrëmjen e sotme në “Opinion” se nuk ka qenë ai personi që ka dërguar në prokurori Albert Veliun.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu sesi ka ndodhur i gjithë takimi me të dhe Veliun, ai tha se nuk ka pasur asnjë njohje të mëparshme me personat e përfshirë në dosjen “Babale” dhe as u ka premtuar para siç pretendon Prokuroria.
“Nëse ka një dokument të vetëm që kam shkuar unë në Prokurori dhe kam bërë njohjen e tij më Besim Hajdarmataj, unë tërhiqem nga politika”.
Blendi Fevziu: Prokuroria thotë që ju e keni marrë Veliun, e keni çuar tek prokurori i Krimeve të Rënda Hjadarmatajn dhe i keni thënë që ky ka një denoncim, pra keni futur në lojë Prokurorinë…
Ervin Salianji: Jo, një mashtrim tjetër…
Blendi Fevziu: Si një mashtrim?!
Ervin Salianji: Ja po ua them…
Blendi Fevziu: Po të hysh në Prokuroi takohesh në letër nuk hyn dot si fantazim.
Ervin Salianji: Nëse ka një dokument të vetëm që kam shkuar unë në Prokurori dhe kam bërë njohjen me Hajdarmatajn, unë tërhiqem nga politika
Blendi Fevziu: Po si ka ndodhur
Ervin Salianji: Po kot mo, janë fantazi për ta bërë komplot shtetëror siç ka thënë Edi Rama…
Ervin Salianji: Nuk kam qenë kurrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përveç rasteve kur jam thërritur për këtë çështje, dhe për një çështje tjetër kur kam pasur një kërcënim nga burgu i Fushë-Krujës…
Blendi Fevziu: Që t’i shkoj në fund, sipas Prokurorisë jo vetëm që e keni njohur me Hjadarmatajn, por ka thirrur oficerë sekretë të SHISH…
Ervin Salianji: Për tu bërë komploti më i madh.
Blendi Fevziu: Është detyrë e prokurorisë nëse ka një denoncim ta bëjë.
Ervin Salianji: Qëllimi thotë prokuroria është për të diskredituar qeverinë, kam bërë një komplot… po pse do ta bëja unë me vëllanë e Xhafajt dhe jo me vëllanë e Ramës që ishte tek “Xibraka”…
Blendi Fevziu: Pra nuk jeni takuar ju siç thotë prokuroria?
Ervin Salianji: Po zero mo, nëse jep një provë për këtë unë tërhiqem nga politika…
Salianji: Shkoj në burg nëse më dënon Apeli; Fevziu: Nuk është burgu kaq i lehtë
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji është dënuar me 1 vit burgim sot nga Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës për akuzën e kallëzimit të rremë, por nuk do të qëndrojë në burg deri në vendimin e Gjykatës së Apelit nëse jepet i njëjti dënim.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Salianji është pyetur nga Blendi Fevziu nëse do të arratiset në rast se Apeli e dënon sërish me burg.
Blendi Fevziu: Në rast se dhe Gjykata e Apelit ju njeh fajtor, do të shkoni në burg apo do të arratiseni?
Ervin Salianji: Pa diskutim që do të shkoj në çfarëdo lloj burgu që do të japë Gjykata dhe do ta bëj burgun ashtu siç kanë sakrificë qindra mijëra njerëz për të vërtetën, për të drejtën dhe për të mundur mafian dhe krimin e organizuar. Nuk ka diskutim fare kjo.
Blendi Fevziu: Nuk është kaq e lehtë burgu saç e thua në studio.
Ervin Salianji: Po pse denoncimi i këtyre është e lehtë? Pse të hysh mes parcelave me kanabis është e lehtë? Unë kam rrezikuar jetën, jo me burgun.
Blendi Fevziu: Pra, nëse do marri dhe Apeli, jeni i gatshëm të shkoni në burg?
Ervin Salianji: Pa diskutim, deri sa të shkojë në Gjykatën e Strasburgut, të kaloj të gjithë shkallët e gjyqësorit këtu dhe të fitoj pafajësia dhe do të dalë e drejta. Pa asnjë diskutim. Kur kam hyrë mes parcelave me kanabis unë, ka qenë e lehtë?
Arben Malaj: PS është parti më komuniste se në vitin 1992
Parlamenti votoi sot për shkarkimin e Arben Malajt nga bordi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-ministri socialist i Financave thotë se Partia Socialiste sot është më komuniste për nga mentaliteti se në vitin 1992.
Blendi Fevziu: Përse u shkarkuat?
Arben Malaj: Duhet pyetur shoku Rama!
Blendi Fevziu: Shoku i thoni ju? Unë e di se është z.Edi Rama.
Arben Malaj: Unë di që është shoku sepse në partitë komuniste vazhdon të flitet me fjalët shoku.
Blendi Fevziu: Ç’domethënë parti komuniste? Është një parti ku ju keni milituar për thuajse 20 vjet.
Arben Malaj: Po partia ka dinamikën e saj.
Blendi Fevziu: Është më shumë komuniste sot se sa ka qenë në vitin 1992?
Arben Malaj: Besoj po!
Blendi Fevziu: Si?
Arben Malaj: Sepse varet nga mentaliteti.
Malaj flet për mesazhet e Ballës, tregon pse e shkarkuan
Arben Malaj u shkarkua ditën e sotme nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore.
Në një intervistë mbrëmjen e sotme në “Opinion”, ai tha se ka qenë Taulant Balla i cili nisur një mesazh duke i thënë që të mos kritikojë Erion Veliajn dhe qeverinë pasi do ta shkarkonin nga Banka.
Ai nuk ka pranuar që t’i dëshmojë mesazhet para kameras, pasi tha se do ndiqte rrugën ligjore dhe të gjithë këto do të shkonin në Strasburg për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje.
“I kam thënë që mua s‘më tremb i Sali Berisha kur më kërcënoi me jetë në 1997, jo të më trembësh ti për një karrige. Këto janë çështje që do të shkojnë të gjitha në Strasburg”.
“Në çdo gjykatë ndërkombëtarë, kur kërcënohet një biznes nga politikanë, gjyqi është menjëherë i fituar, por këta janë kalamaq, nuk dinë çështë përgjegjësia ligjore…”
Ish-ministri socialist flet për gjendjen financiare të Shqipërisë
Ish-ministri socialist i Financave, dhe së fundmi anëtari i shkarkuar nga bordi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj ka folur për gjendjen financiare të vendit.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Malaj është shprehur që nëse vazhdon kriza politike, situata do të shkojë drejt përkeqësimit.
Blendi Fevziu: Si është gjendja financiare në vend?
Arben Malaj: Unë dua të kujdesshëm. Unë nuk dua të ushqej panik, frikë se ky vend boll ka. Ka shqetësime serioze, sidomos dëmi më i madh që është në ekonominë shqiptare që vjen nga ambienti acid i politikës shqiptare, nga grindja, nga banaliteti… Unë jam shqetësuar se në emisionin tuaj kam parë njerëz të mençur që po arrijnë tani në një nervozizëm sa duket që shoqëria jonë është në një stres. Në qoftë se vazhdon ky ambient politik, në qoftë se Rama i pari nuk bën një dalje nga kjo krizë e cila po të thellohet do ta marrë dhe atë me vete, unë mendoj që gjërat kanë trend përkeqësues. Mendoj që ne na duhet një këndvështrim pozitiv. Është momenti që të gjendet një kompromis, të gjendet një zgjidhje. Po nuk qeveriset vendi pa opoizitë dhe kur 80% e pushtetit vendor është me një kandidat. /tvklan.al