Zhvillimet e mëtejshme ekonomike dhe politike të Kosovës janë të rëndësishme për të ardhmen e saj evropiane.

Ky ishte mesazhi i përcjellë gjatë punimeve të konferencës: “Kosova e Pavarur dhe Bashkimi Evropian- Zhvillimet politike ekonomike dhe perspektiva e saj” e mbajtur në Vjenë.  

Zyrtaret e lartë evropianë, pjesëmarrës në këtë konferencë, vunë theksin tek puna intensive e Prishtinës zyrtare për të mos qëndruar në vend numëro, por për të punuar në drejtim të reformave për integrimin evropian të saj.

Stefan Lehne: “Lidershipi kosovar nuk mund të rrijë i qetë. Më duhet të inkurajoj institucionet kosovare  që të fokusohen në sfidat dhe të ecin përpara.”

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Peter Feith, u ndal gjerësisht tek zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe tha se pavarësisht krizës ekonomike, shteti i ri është tërheqës për investitorët e huaj.

Peter Feith: “Besoj se investitorët e huaj do ta shohin Kosovën si një vend tërheqës me shuam potencial dhe që ia vlen për ndërmarrjen e rreziqeve.”

Që nga viti 2005, vlera e investimeve të huaja në Kosovë ka arritur në 1 miliard euro, por investitorët janë të kujdesshëm që të ndërhyjnë në këtë vend ku minoriteti serb nuk pranon të integrohet.

Pavarësisht kësaj, Ministri kosovar i Ekonomisë, Ahmet Shala, nga ana e tij përshkroi atmosferën pro evropiane në Kosovë dhe garantoi se ky vend është i përkushtuar për vendosjen e paqes në rajon.

Ahmet Shala: “I bëj thirrje të gjitha vendeve fqinje që ta shohin bashkëpunimin rajonal si një mjet të përbashkët për të arritur tek integrimi evropian.”/tvklan.al