Misioni EULEKS do të nisë zyrtarisht punën në Kosovë më 9 Dhjetor. Kështu njoftoi zyra e Përfaqësuesit të lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Evropian, Javier Solana, në përfundim të mbledhjes së ambasadorëve të bllokut.
Pavarësisht skepticizmit dhe kundërshtimeve, shefi i këtij misioni, Peter Feith, nënvizon se EULEKS do të kontribuojë për rritjen e besimit në publik.
Peter Feith: “Vendosja e misionit EULEKS ne territorin e Kosovës, nuk është thjesht një çështje teknike për forcimin e ligjit apo luftën antikorrupsion, por duhet të sigurojë besimin e komunitetit në rritjen e lirisë së veprimeve, të investimeve, për më shumë shkëmbime të kulturave.
Ndërsa zv/shefi i misionit, Roy Reeve, shpjegon se EULEKS do të veprojë në kuadër të rezolutës 1244.
Roy Reeve: “EULEKS-i nuk pritet të zëvendësoje UNMIK-un, por të mbështesë, drejtojë dhe monitorojë autoritetet lokale në detyra të veçanta. Për momentin misioni numëron 1300 persona të stafit ndërkombëtar dhe 500 vendore, ndërsa pritet që deri në fund të Dhjetorit të plotësojë kapacitetet maksimale me 1900 të huaj dhe 1100 vendorë.”
Mandati fillestar është dyvjeçar, por misioni do të zgjasë deri kur të vlerësohet se autoritetet e Kosovës të garantojnë se të gjithë qytetarët në vend do të përfitojnë nga sundimi i ligjit.
Buxheti i misionit në 16 muajt e parë është 205 milion euro. I menjëhershëm ka qenë reagimi i të ashtuquajturave bashkësi të komunave serbe në veri të Mitrovicës.
Ata deklaruan se UNMIK-u është i vetmi mision i vlefshëm për serbët dhe se EULEKS nuk mund të jetë neutral pasi mandati bazohet në kushtetutën e Kosovës./tvklan.al