Deborah Jones: “Secili prej jush ka një rol të rëndësishëm për të luajtur luftën kundër korrupsionit”.

Me këto fjalë Zv/Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Deborah Jones, i është drejtuar pjesëmarrësve në konferencën rajonale kundër korrupsionit.  

Lufta ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit ka mbledhur në një sallë, ministrin e ri të shtetit, drejtorin e përgjithshëm të policisë, kryeprokuroren si dhe këshilltarë ligjore nga zyra OPDAT dhe ambasada e SHBA-së. Në këtë konferencë rajonale anti-korrupsion, Genc Pollo, i emëruar Ministër i Shtetit, deklaroi se qeveria i ka shpallur luftë këtij fenomeni, duke e zhveshur nga imuniteti çdo ministër të kabinetit qeveritar. 

Genc Pollo: “Në qoftë se nuk do të kemi organe të zbatimit të ligjit që me forcë, vendosmëri, konsekuencë dhe pa ndikime të pa duhura zbatojnë ligjin. Flasim për organin e akuzës, për prokurorinë, për policinë dhe më tej për gjykatën. Një nga angazhimet tona të mandatit të parë që nuk u arrit, ishte heqja e imunitetit për çdo zyrtar duke filluar nga anëtarë të qeverisë dhe anëtarët e kuvendit, anëtarët e parlamentit. Shpresojmë që në legjislaturën që sapo ka filluar të mund të arrijmë me opozitën e pranishme në sallë, të mund të arrijmë një konsensus për këtë çështje të rëndësishme”.

Ahmet Premçi: “Strukturat e specializuara të policisë shtetit kanë rritur performancën në kryerjen e detyrës dhe kanë rritur dhe besimin ndaj publikut. Kjo ka patur një numër të konsiderueshëm telefonatash e njoftimesh në forma të ndryshme në polici nga qytetarët për veprime korruptive të zyrtarëve të cilët janë vlerësuar dhe janë investigura në konformë legjislacionit në fuqi nga ana e policisë shqiptare”.

Për kryeprokuroren Ina Rama, ajo që kishte rendësi, nuk ishin rezultatet dhe puna e bërë prej më shumë se një viti në krye të organit qendrorë të akuzës, por marrëdhënia mes institucionit që ajo drejton dhe medias.

Ina Rama: “Ka sipas mendimit tim një nevojë shumë të madhe për të qartësuar dhe saktësuar se ku fillon dhe mbaron domosdoshmëria e bërjes publike të informacioneve. Mendoj që demarkacioni dhe ekuilibri midis nevojës për informim të publikut dhe detyrimet të agjencive të ligjit për ta bërë këtë gjë nga njëra anë dhe nevojës së ruajtjes së sekretit hetimor në anën tjetër. Mbaron pikërisht aty ku dalja e këtij informacioni bëhet motiv dhe ndikon negativisht në mënyrën se si procedohet me hetimin e çështjes penale. Madje mund të ndikojë negativisht deri në shkatërrimin e krejtësisht të një procedimi penal”.

Prej tre ditësh në hotel Tirana, Konferenca rajonale e anti-korrupsion do të zhvillojë punimet ku të pranishëm do të jenë Prokurori i Federal i Distriktit Jugore të Kalifornisë si dhe gazetarë të cilët kanë investiguar në rastet e denoncimit të korrupsionit në administratën e lartë shtetërore.

Për paradoks dy titullarët që mbajnë të njëjtin mbiemër Ina Rama si dhe Edi Rama, shpesh herë akuzojnë median kur e shikojnë se projektet e tyre kanë dështuar./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani