14 vite pas “21 Janarit”, Sali Berisha shprehet i hapur për çdo hetim, teksa akuzon Kryeministrin Rama se qëndron pas protestës së dhunshme në bulevard.
“Mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje. Institucionet më serioze ndërkombëtare janë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte axhendë politike”, tha Berisha.
Prerazi refuzon të ketë penguar një hetim ndërkombëtar, teksa gishtin e ngre mbi kryeprokuroren e asaj kohe Ina Rama.
“Po atë natë dhe të nesërmen, të pasnesërmen, kam kërkuar një hetim ndërkombëtar. Nuk duhet t’i përdorin fatkeqësitë e të tjerëve për ushqim politik. Ishte Ina Rama prokurore, që unë e akuzova për puçiste, që refuzoi prokurorin ndërkombëtar. Dhe pas vitit 2013, njëri pas tjetrit prokurorë nga Arta Marku, Olsi Çela etj, njeri tjetër përveç Edi Ramës nuk i ka penguar ata të hetojnë në çdo aspekt”, u shpreh Berisha.
Gjatë një deklarate për mediat Berisha deklaroi se, Partia Demokratike është e vendosur për të bashkëpunuar me administratën e Presidentit Donald Trump dhe se ndihet e inkurajuar nga zotimi për shpalljen e karteleve të drogës, grupe terrorriste.
“Ky zotim është një mbështetje tejet e çmuar për qytetarët shqiptarë, që përjetojnë narkodiktaturën e Edi Ramës dhe klaneve rajonale e ndërkombëtare të drogës, me të cilat ai ndan pushtetin”, theksoi Berisha.
Berisha ka deklaruar se do të kërkojë rishikimin e vendimit për shpalljen e tij “non grata” nga administrata e Presidentit Tramp.
Tv Klan