Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Akuza të ndërsjella mes sindikatës dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky i fundit i quan të pambështetura dhe false akuzat e bëra ndaj tij.
“Nuk kam lidhje me asnjë farmaci dhe jam i gatshëm të hetohem mbi gjithçka që më akuzon sindikata” është përgjigja e drejtorit të ISKSH, i cili prej ditësh është përfshirë në akuza abuzive. Ai pohon se është një luftë kolltukësh e nuk e njeh këtë drejtuese sindikate.
Gjergji Leka:- “Ajo që më prek mua direkt është se unë jam drejtues i një farmacie me emrin “Select time”. Unë ju deklarojë personalisht që s’kam lidhje jo me këtë farmaci, po me asnjë farmaci në vendin tonë. Kërkojë dhe në qoftë se këta sharlatanë nuk e bëjnë kët, unë do t’i kërkojë vetë organit të prokurorisë të hetojë deri në fund për këtë farmaci, të gjenden se kush janë pronarët, të gjenden se ç’fshihet pas kësaj dhe keni për të parë se nuk jam unë, por janë ata që janë të lidhur dhe me këtë farmaci. Ky është njoftimi i gjyqësorit, i cili njeh kryetar sindikate Agim Kodrën dhe sekretar të tij zotin Fatos Katesha. Tjetër vendim gjyqësor apo letër, në të cilën të njihen këta që bëjnë letra si sindikatë, në zyrën e drejtorit të përgjithshëm nuk ka ardhur. Në një kontroll që ka bërë ISKSH, 200 nga 900 farmacitë e tregut të hapur janë jashtë kushteve. Jashtë kushteve është edhe farmacia e asaj të quajtur kryetare e sindikatës”.
Pala që i drejtohet sindikata shprehet që zoti Leka ka përdorur pozicionin e tij për monopolizim të barnave të listës, si dhe shkelje të kontratës. Ajo është kryetare e kësaj sindikate që nga zgjedhjet e Nëntorit 2003.
Farmacistja:- “Kontrata është shkelur disa herë dhe veç kësaj kemi të dhëna që ky individ, ka abuzuar me postin që ka, duke pasur në mbizotërim, një farmaci që është krejtësisht e paligjshme. Abuzimi tjetër qëndron, se duke qenë emri i Gjergji Lekës, mbrapa asaj farmacie, ajo farmaci ka pasur të drejtën e zotërimit të preparateve më të shtrenjta të tregut shqiptar”.
Të dyja palët mbartin drejtësi në veten e tyre, ata do t’i drejtohen gjykatës dhe prokurorisë për verifikim./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti