Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Presidenti amerikan Xhorxh Bush, i ka bërë thirrje homologut të tij maqedonas Boris Trajkovski, të tregojë përmbajtje në betejën me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare Shqiptare. Bush ia drejtoi këtë thirrje Trajkovskit me anë të një letre, nëpërmjet së cilës i kërkonte gjithashtu gjetjen e mënyrave me të cilat Maqedonia të jetojë në paqe.

Ky presion amerikan vjen ndërkohë që përleshjet sporadike mes të dy palëve kanë vazhduar. Të shtunën në darkë përreth fshatit Spullçan,  janë dëgjuar të shtëna me artileri dhe me mitraloz. Një zëdhënës i ushtrisë maqedonase, fajësoi UÇK për shpërthimin e luftimeve. Këto përleshje të reja ndodhin pas vizitës që presidenti Trajkovski i bëri ushtrisë maqedonase në Kumanovë./tvklan.al