Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Gazetarja: Fshati Fikas nga Bradashesh është pak kilometra larg njëri-tjetrit, por besimi fetar ka krijuar një ndasi edhe më të madhe mes tyre. Që prej 6 javësh kur është vendosur dhe kryqi në rrugën nacionale që të çon drejt Elbasanit, banorët kanë nisur dhe urrejtjen fetare. Të dhenat historike, por dhe arkeologjia flet, se kryqi është vendosur nën themelet e një kishe të dikurshme të quajtur Shën Martini, e banorët e fshatit Fikas kësaj i kanë besuar, e kanë ngritur këtë kryq, këtë simbol të fesë së tyre.
Konflikti i rrallë duke ditur që kemi tolerancë fetare, konflikti mes kishës Ortodokse dhe Myftinisë së Elbasani, vjen pas pretendimit të këtij të fundit, se simbolet fetare kanë vendin e tyre. Vendosja e kryqit nxit urrejtje fetare. Ndërkohë historia e fshatit Fikas nis që nga koha e Turqisë, kur janë prishur kishat e kësaj zone.
Ky fshat mban numrin më të madh të kishave e Fikasi njihet si kryeqendra e ortodoksisë. Fshati ka një histori të çuditshme, dikur është quajtur Shën Pjetër, por emri i ndryshoi pas prekjes nga një sëmundje dhe popullsia e fshatit u shua. Fikja e jetëve të tyre i dha emrin Fikas. Pas shuarjes shumë shekullore, banorët kërkojnë të ringrejnë traditën me simbolet fetare.
Banori: “Gjithmonë muhamedanët kanë qenë si luftëtarë karshi nesh. Jo tjetër gja, por vetëm sepse ne ishim ortodoksë, kjo ndikon. Tashi ne ndërmjet muhamedanëve kemi dhe shokë dhe miq. Këto janë disa që nuk duken edhe që luftojnë. Këtu ka qenë kisha e vjetër para Turqisë, për ta simbulu që ta njofin edhe pjesa e rinisë që rritet sot”.
Banorja: “Edhe këtë ndarje që bëjnë këto myslimanët edhe kristianët, mu nuk më pëlqen, sepse një Zot është për të gjithë”.
Myftinia dhe banorët mysliman të fshatit Bradashesh se pranojnë kryqin. Ata arsyetojnë se po të vendosen simbolet fetare kudo ku kanë ekzistuar, ndërtimi i tyre dot vazhdojë pambarimisht.
Banori: “Puna e fesë është si puna e partive që ndahen dikush me PS, dikush me PD dhe gjithkush mundohet të përkrah krahun e vetë, kështu që ne edhe si fshat dihet që jemi mysliman, kështu që edhe neve si fshat s’na vjen mirë në këtë mes”.
Deri më tani bashkëjetesa mes tyre s’ka lënë vend përçarje. Vendosja e një simboli vë në pikëpyetje tolerancën fetare, që duket se kurrë nuk ka munguar./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti