Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kongresi i 6 i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ka mbërthyer sot vëmendjen e shqiptarëve anë e mban vendit dhe padyshim në qendër të kësaj vëmendje janë ata që mund të quhen tre kandidatët zyrtar për postin e kryetarit të PS, Nano, Rama dhe Mejdani. Po cilët janë këta zotërinj dhe cila është CV e tyre politike.

Fatos Nano ka lindur në Tiranë në vitin 1952 dhe ka mbaruar studimet në vitin 1975, pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, në degën Ekonomi Politike. Për herë të parë ai është angazhuar në politikë, si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në kabinetin e drejtuar nga Adil Çarçani në vitin 1990. Në vitin 1991 ka pasur një sërë arritjesh në karrierën e tij politike, ai zgjidhet zëvendëskryeministër dhe pas zgjedhjeve të këtij viti zgjidhet dhe deputet i Kuvendit të parë pluralist. Në vitin 1993, arrestohet dhe burgoset me 12 vjet heqje lirie për arsye politike. Jeta e tij politike ka qenë mjaft aktive dhe gjatë qëndrimit të tij në qeli, deri në lirimin e tij me dekret presidencial në vitin 1997. Fatos Nano është zgjedhur tre herë në postin e kryeministrit të vendit. Në vitin 1991-1997 dhe në vitin 2001 dhe është zgjedhur dy herë në postin e kryetarit të PSSH. Aktualisht është kandidati kryesor për t’u zgjedhur sërish kandidati i PS, në Kongresin e 6-të të saj.

Edi Rama është një publicist, artist dhe aktualisht kryetar i bashkisë së Tiranës. Ai ka lindur në Tiranë në vitin 1964 dhe është diplomuar në degën e pikturës në Akademinë e Arteve, në vitin 1986. Ka qenë një nga personat më aktiv në përpjekjet për rrëzimin e regjimit komunist, duke marrë pjesë në lëvizjet e Dhjetorit 90, deri në vitin 1992. Deri në vitin 1996, ai ka marrë pjesë në jetën politike, jo si anëtar i ndonjë partie, por si një nga anëtarët që themeluan lëvizjen për demokraci dhe si publicist e realizues i mjaft shkrimesh, analizash në gazeta të përditshme shqiptare dhe të huaja. Në vitet 96-97, Rama niset drejt Francës ku do të qëndrojë për disa kohë deri në vitin 98, kur emërohet në postin e Ministrit të Kulturës, së Shqipërisë, post në të cilin qëndroi deri në vitin 2000. Po në këtë vit, Rama fiton zgjedhjet lokale dhe shpallet kryetar i bashkisë së Tiranës. Ka një aktivitet mjaft të gjerë dhe të spikatur në këtë post. Deri së fundi, kur vendosi të marrë teserën e anëtarit të PS dhe të shpallë kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie.

Rexhep Mejdani lindi në 17 Gusht 1944 në Elbasan, ku u diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 1966, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në degën e Fizikës, si dhe përfundoi me sukses studimet pasuniversitare në Universitetin e Kanës në vitin 1974. Zoti mejdani mban titullin shkencor Pofesor Doktor. Në vitin 1996, aderoi në Partinë Socialiste, duke u zgjedhur sekretar i përgjithshëm i saj. Pas zgjedhjeve të cilat u fituan nga koalicioni i majtë drejtuar në PS, më 24 Korrik 1997, me propozim të PS, Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi zotin Mejdani President të Republikës. Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 2002, kur në krye të presidencës shqiptare u zgjodh presidenti konsensual Alfred Moisiu. Edhe zoti Mejdani është jjë nga figurat i cili ka propozuar ndryshime në lidershipin e PS. I mbështetur edhe nga ish-kryeministri Meta dhe një grup deputetësh socialistë Ai është një nga kandidatët për postin e kryetarit të PS./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora