Për më shumë se dy orë, Rektori i sapo zgjedhur i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe ish – Rektori Dhori Kule janë pyetur në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ata kanë deponuan në lidhje me kërcënimin që morën gjatë procesit zgjedhor për postin e rektorit.
Të dy akademikët janë paraqitur rreth orës 10:00 dhe janë marrë në pyetje nga dy oficerë të Policisë Gjyqësore.
Mësohet se, Kule ka thënë se është kërcënuar nga disa persona pranë Rektoratit. Por ka sqaruar se nuk i njihte këta individë dhe për këtë arsye nuk ka bërë kallëzim. Ai është shprehur se këta persona i kanë thënë se nuk duhet të mbështeste kandidaturën e Mynyr Konit, për postin e rektorit të ri.
Edhe profesor Koni mësohet të ketë mbajtur të njëjtin qëndrim, duke pranuar se është kërcënuar nga disa persona në rrugën “Fortuzi” pranë banesës së tij, por nuk ka mundur të njohë asnjë nga ata.
Burime nga grupi hetimor thonë se, të dy akadamikët nuk kanë identifikuar si kërcënues Emiljano Shullazin apo dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmado Danin dhe Blerim Shullazin.
Për këtë çështje, Prokuroria po shqyrton edhe kamerat e sigurisë së disa bizneseve pranë vendeve ku kanë ndodhur kërcënimet.
Xhevahir Zhabina/Tv Klan