Sulmin terrorist në Banjskë vitin e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e sheh si pikënisje të shkatërrimit të dialogut Kosovë-Serbi. Ai thotë se për fajin e Serbisë dialogu ndodhet në një qorrsokak.
“Unë konsideroj që sa i përket perspektives së dialogut, dialogu ndodhet në një qorrsokak prej të cilit nuk po shohë dalje. Këtij qorrsokaku i ka paraprijë Serbia. (Dialogu) e ka pasur arkivolin më 24 shtator me sulmin në Banjskë. Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut”, u shpreh Konjufca.
Ka akuzuar ndërkombëtarët për njëanshmëri në procesin e dialogut, ndërsa ka kërkuar nga ta të përcaktohen se çfarë duan.
“Nëse i mbyll sytë, si në rastin e mbylljen e kufijve në Serbi, sepse ai ndodhi nga shteti serb, shteti serb i lejoi kriminelët për t’i mbyllur kufijtë. As një reagim nuk e pashë nga ana e Brukselit, as nga bashkësia ndërkombëtare, bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme”, shtoi ai.
Ai ka thënë se faktorët ndërkombëtarë kanë qenë shumë të rezervuar sa i përket ndarjes dhe shpalosjes së hetimeve sa i përket sulmit terrorist të Banjskës. Por sipas tij ka shpërputhje në mes të asaj se çfarë ata dinë dhe veprimeve të tyre. Nuk pret që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.
Tv Klan