Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Grupi i të Urtëve, i drejtuar nga presidenti Moisiu, ka bërë publike konkluzionet për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor në Shqipëri. Ky grup sugjeron që sistemi zgjedhor të mbetet i pandryshuar, ndërsa kërkon ndërhyrjen në disa procedura që kanë të bëjnë me numërimin e votave dhe listat e zgjedhësve.

Në konkluzione nënvizohet, se duhet të hartohen lista korrekte, të përfundohet regjistri themeltar, i zgjedhësve, komisionet zgjedhore të mos përbëhen nga më shumë se 7 anëtarë, të cilët duhet të jenë të pavarur etj. Sipas këshilltarit juridik të presidentit, Artur Metani, Grupi i të Urtëve sugjeron edhe ndryshimin e numërimit të votave, si kusht për manipulimin e numërimeve.

Artur Metani: “Numërimi të bëhet në qendër të prefekturës, në qendër të zonës elektorale, ideja e dytë, ose risia e dytë është që të bëhet një komision tjetër votimi përveç atyre që marrin pjesë në administrimin e zgjedhjeve lokale, numërimi i votave të bëhet në mënyrë transparente, në mënyrë publike, në prani të medias dhe të vëzhguesve lokal, ose të huaj”.

Për shmangien e debateve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Grupi i të Urtëve sugjeron që të propozohen tre anëtarë nga secili krah i politikës dhe kryetari të zgjidhet nga presidenti, ndërsa ankimet për rezultatin e zgjedhjeve të shqyrtohen nga sistemi gjyqësor.

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, nëpërmjet këshilltarit të tij politik Afrim Krasniqi, ka shprehur mendimin, se këto konkluzione do të jenë të vlefshme për realizimin e zgjedhjeve të ardhshme në përputhje me standardet e kërkuara.

Afrim Krasniqi: “Nuk mjafton asnjë zgjidhje ideale për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, pa një vullnet të qartë të forcave politike për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën dhe për të arritur në përmirësimin ligjor të gjitha boshllëqet e krijuara nga zgjedhjet e kaluar dhe në realizimin e procesit zgjedhor të lirë e të ndershëm të pranuara nga të gjitha palët, pasi fatkeqësisht Shqipëria vazhdon të jetë vendi i fundit në Europë, ku nuk zhvillohen zgjedhje të lira me standardet europiane”.

Konkluzionet e Grupit të të Urtëve u janë përcjellë partive politike parlamentare dhe përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego