Grupi i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, si dhe ligjet e nevojshme për rrugëtimin në BE, është konsistuar pas mbledhjes mes palëve.
Pas përfundimit të mbledhjes, Oerd Bylykbashi është shprehur se objekt i këtij grupi prej 6 anëtarësh do të jenë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi është shprehur se u vendos që prioritet i grupit të punës të jetë Reforma Zgjedhore.
Oerd Bylykbashi: Sot konstituam grupin që përbëhet prej 6 anëtarësh. Diskutuam dhe çështja kryesore: Listimi i çështjeve që do të jenë objekti i punës i këtij mekanizimi dialogu, ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ajo që u ra dakord, çështja prioritare që do të diskutohet nga ky mekanizëm është Reforma Zgjedhore dhe të gjitha çështjet që mund të prekin dhe ligje të tjera. Prioriteti i punës është trajtimi i Reformës Zgjedhore. Reforma Zgjedhore ka qenë çështje vullnetit politik, përveçse është një detyrim që detyron të gjitha shtetet të ndjekin rekomandimet e OSBE-ODIHR. Nëse do të ketë vullnet nga mazhoranca, angazhimi do të jetë i plotë. Opozita e ka mbështetur gjithmonë amnistinë, duhet të shohim kush janë zgjidhjet konkrete.
Bylykbashi u shpreh se puna që do të bëjë ky grup pune do të jetë transparent dhe do të ndjekin praktikat më të mira që kanë pasur deri më tani.
Oerd Bylykbashi: Ajo që ramë dakord që do të listohen dhe përcaktohet objekti i punës se cilat janë çështjet prezente në kuvend për t’u zgjidhur dhe çdo gjë në hapësirë që do të përcaktojë komisioni. Puna që do të bëjë ky grup do të jetë transparente. Do të ndjekim praktiakt më të mira që kemi pasur deri më sot. E nevojshme të kemi mundësinë që të punohet dhe të ketë efikasitet.
Ndërkohë në emër të mazhorancës, Damian Gjiknuri në një fjalë për mediat pas përfundimit të mbledhjes u shpreh se sot ka nisur puna për të punuar me konsensus për çështjet që janë prioritare ku ka theksuar çështjet e adresimit të Kodit Zgjedhor dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Damian Gjiknuri: Në vijim, meqënëse këtu pati një deklaratë më parë. Edhe ne si pjesë e grupit të punës në emër të mazhorancës dua të them që grupi i punës sot filloi punë. U konstituua në bazë edhe të vendimit që ka marrë edhe kryesia e Komisionit të Ligjeve për të punuar me konsensus për çështjet që janë prioritare dhe mbi të gjitha duke filluar me atë që ka mbetur që është çështjet e adresimit të Kodit Zgjedhor dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kjo do të jetë pra, këtë vendimmarje patëm sot për të filluar, hulumtuar modalitetin e punës për çuarjen përpara të procesit të mbetur të reformimit të Ligjit Zgjedhor. Pjesa tjetër do të jetë herë pas here ne do të komunikojmë. Amnistia është gjë e tejkaluar tashmë është në seancë, patjetër që palët janë duke komunikuar, por nuk i kemi diskutuar për amnistinë sot në këtë grup pune. Nuk e kemi konsideruar sepse është në një fazë më të avancuar, por natyrshëm që edhe amnistia do të kalojë me konsensus.
Sipas marrëveshjes, mes palëve ky grup ka 3 anëtarë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca. Nga Partia Socialiste anëtarë janë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi ka njoftuar më herët publikisht se anëtarët e opozitës do të jenë Oerd Bylykbashi dhe Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë, ndërsa vendi i tretë iu ofrua grupimit të deputetëve të PD-së që mbështesin Lulzim Basha. Ky i fundit nuk ka pranuar, ashtu siç e ka bërë edhe më herët të ditur publikisht dhe për rrjedhojë, anëtare zëvendësuese është Dhurata Çupi./tvklan.al