Që prej orëve të para të mëngjesit, një operacion po zhvillohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjentët e BKH, me urdhër të SPAK. Burime për Klan News bëjnë me dije se Prokurori Alfred Shehu ka lëshuar 43 urdhërarreste për krim të organizuar në Lezhë, Fushë Krujë, Nikël, Kurbin, Durrës, Shijak dhe Tiranë.


Po ashtu, siç raporton gazetarja Glidona Daci, po kryhen kontrolle edhe në disa ambiente në Vlorë e Shkodër.

Pamje të aksionit sot nga Shijaku

“Po kontrollohen të gjitha vendet ku dyshohet se fshihen personazhe të krimit të organizuar”, thekson Daci.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë zbardhur disa nga ngjarjet e rënda kriminale dhe ekzekutimet e grupit të Ervis Martinajt.

Ky aksion është “aktivizuar” pas zbërthimit të shumë bisedave në aplikacionin e koduar SKY ECC.


Mes personave ndaj të cilëve janë lëshuar masat e arrestit janë Durim dhe Valter Bami, të dy emra të njohur në botën e krimit, Leonard dhe Erlis Duka, kryesorët e klanit që organizoi vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko. Siç bën me dije gazetarja, urdhër arrest ka dhe për Plaurent Dervishajn, Endrit Doklen dhe Fatmir Hysenin. Ky i fundit njihet ndryshe si “Doqja”, i cili dyshohet si një prej personave që ka lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt.

Pjesë e listës janë dhe vëllezërit Avdylaj që njihen ndryshe si “të fortët e Shijakut”. Është shpallur në kërkim ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka. Paraprakisht ka dyshime se përveç eksponentëve të krimit, do të bien në pranga dhe disa punonjës policie.

Gazetarja Daci thotë se nga të dhënat që disponon deri në këto momente, dyshohet se Prokuroria e Posaçme ka mundur të zbardhë disa vrasje në zonën e Durrësit, Fushë Krujës dhe Lezhës, por edhe në Tiranë.

Mbetet për t’u parë se cilat janë këto ngjarje, ndërsa duhet theksuar se ky në fakt është një ndër operacionet më të mëdha të viteve të fundit, kundër krimit të organizuar në vend.

Po kush janë secili prej personazheve?

Durim Bami njihet nga të gjithë si “i forti” i Niklës. Për herë të parë ai u vu në pranga në Mars të 2015-ës për një atentat. Rezulton person i dyshuar për një tentativë vrasjeje në vitin 2004, i dyshuar po ashtu për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K.  U ndalua në shtator të 2018-ës nga një operacion i RENEA-s në Nikël pas informacioneve se në banesat e “të fortëve” në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi. Bami përmendet edhe nga familjarët e Enver Stafukës, që sipas tyre, u rrëmbye për shkak se ishte në dijeni të krimeve të bandës.

Durim Bami

Valter Bami, vëllai i Durim Bamit. Edhe ky një personazh me një sërë rekordesh kriminale. U arrestua në Korrik të 2023-it për armëmbajtje pa leje, një ditë pas atentatit ndaj Gentian Bejtjes në fshatin Larushk të Krujës. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë kunati i Bejtjas Ramazan Sina dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.

Valter Bami

Vëllezërit Duka: Leonardi dhe Erlisi, kryesorët e klanit që organizoi vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko. Ish-polici u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”.

Erlis dhe Leonard Duka

Plaurent Dervishaj, një prej kryesorëve të bandës së Durrësit. I shpallur në kërkim për ekzekutimin e Klodian Saliut në 26 shkurt 2005. Në 2020-ën ai u arrestua në Dubai.

Plaurent Dervishaj

Endrit Dokle, ish-anëtar i bandës së Durrësit. Në vitin 2014 u dënua me burg përjetë, pasi akuzohej se së bashku me 16 persona të tjerë për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. Por ai doli nga burgu më 14 janar 2020, për sjellje të mirë…Për shkak të armiqësive edhe ky është një emër që dyshohet se ka lidhje me rrëmbimin e mundshëm të Ervis Martinaj, për të cilin po hetohet edhe mundësia e vrasjes.

Endrit Dokle

Fatmir Hyseni, njihet me nofkën “Doqja” nga Vlora. Dyshohet si një prej ekzekutorëve të Santiago Malkos. Mendohet të ketë lidhje edhe me një atentat në Vlorë ku shënjestra ishte Ferdinand Llanaj. Ka një të kaluar kriminale dhe është dyshuar si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes së vëllait të Viktor Ymerit në Vlorë, ose siç njihet ndryshe në këtë qytet si “Tori i Xhihanes”.

Vëllezërit Avdylaj: Astrit Avdylaj njihet si kreu i “bandës së Avdylajve” të Shijakut. Mbrëmjen e 22 tetorit 2018, vëllezërit u arrestuan në Shijak së bashku me 20 persona të tjerë, për vrasje, prostitucion, trafik droge dhe disa vepra penale. Rruga e tyre kriminale nis që në vitin 1996 kur u vra me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylaj.

Altin Avdylaj me pseudonimin “Niçja” akuzohet po ashtu si pjesë e grupit kriminal për “Prodhim, shitje dhe trafikim të narkotikëve”.

Vëllezërit Avdylaj

Ish-deputeti socialist, Arben Ndoka. Në vitin 2018, ai u arrestua në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, kur u lëshuan 34 urdhërarreste. Në atë kohë, ai u akuzua për abuzim me pronat në bregdetin e Lezhës. Megjithatë, në 2021, Gjykata e Lezhës vendosi ta pushtonte çështjen ndaj ish-deputetit.

Ish-deputeti Arben Ndoka

E.D/tvklan.al