Jo vetëm në qytetet kryesore të Shqipërisë si Tirana dhe Durrësi, por qytetarët zgjedhin që në dimër pushimet t’i kalojnë në destinacione më të qeta.

Veç qyteteve kryesore, Pogradeci dhe Korça janë dy prej destinacioneve më të preferuara për vendasit dhe të huajt, e po ashtu së fundmi ka nisur të preferohet edhe Shkodra.

“Tirana është vendi më i kërkuar. Pas Tiranës vjen Durrësi, të gjithë hotelet e bregdetit kanë dhe një kapacitet të madh. Janë të gjithë të prenotuara. Pas Durrësit vjen Pogradeci dhe Korça. Tani ka filluar deri diku Shkodra”, tha Xhimi Lama.

Tur-operatorët thonë se edhe Veriu i Shqipërisë ka destinacione me shumë potencial për t’i shëndërruar si vende mikpritëse për turizmin dimëror, megjithëse investimet janë përqendruar sipas tyre më shumë në zonat që ofrojnë turizëm veror.

“Turizmi malor në Shqipëri do goxha kohë të frekuentohet për arsye të investimit. Investimet më të mëdha po shkojnë drejt bregdetit shqiptar. Natyrisht ka dhe investime në zonat malore, por janë të fokusuara tek turizmi më tepër i vjeshtës dhe pranverës”, tha Xhimi Lama

Trendi aktual turistik, tregon që pjesa kryesore e shqiptarëve zgjedhin të pushojnë jashtë, por janë të huajt ata të cilët zgjedhin Shqipërinë edhe në dimër.

“Ne kemi shumë grupe të ndryshme turistike që vijnë nga Europa Perëndimore, nga Spanja dhe Italia. Shqiptarët preferojnë të udhëtojnë më tepër jashtë. Është një nga destinacionet më të kërkuara është Dubai”, tha Xhimi Lama.

Për tur-operatorët atmosfera festive në Shqipëri ka bërë që kapacitetet akomoduese në Tiranë, Durrës, dhe në destinacionet e tjera të njohura me dëborë, të rezervohen të gjitha ku kryesojnë për rezervimet shqiptarët e Kosovës.

Tv Klan