Tre ndeshjet e javës së 20-të në Kategorinë e Parë, nuk prodhuan surpriza sa i përket rezultateve.
Pogradeci triumfoi 3-2 me vështirësi ndaj Valbonës, në një sfidë ku liqenorët golin e fitores e shënuan vetëm në minutat e fundit.
Me këtë sukses, Pogradeci mban vendin e shtatë me 27 pikë, ndërsa Valbona mban vendin e parafundit me 12 pikë.
Fitore të rëndësishme mori edhe Lushnja, që mposhti Kukësin 2-1 në transfertë, në një ndeshje me polemika për arbitrimin. Verilindorët kishin pretendime, kryesisht për vendimet në pjesën e parë, ku mbetën me 10 lojtarë dhe u ndëshkuan me penallti.
Ky triumf e ngjit Lushnjën në vendin e gjashtë me 27 pikë, ndërsa Kukësi renditet i nënti me 20 pikë.
Në takimin tjetër, Apolonia mundi 4-2 Korabin në shtëpi. Fierakët mbajnë vendin e tetë me 26 pikë, ndërsa dibranët në vendin e 10-të me 19 pikë. /tvklan.al