Banorët e një zone periferike në qytetin e Korçës prej vitesh janë të detyruar të jetojnë pranë kolektorit të ujërave të zeza. Papastërtitë jo vetëm që kalojnë pranë shtëpive të tyre, por janë të hapura dhe pa tubacione.
Për pasojë era e rëndë dhe mikrobet janë kthyer në një problem mjaft shqetësues për këto familje. Sipas tyre kanë qenë të shumta rastet e prekjes së fëmijëve nga sëmundjet pastro-intestinale, infeksionet e lëkurës e të tjerë.
Banorja: “Shumë probleme kemi pasur dritaret si hapim dot, dyert si hapim dot. Tym dynjaja, pisllëk dynjaja, fëmijët nuk dalin dot në rrugë që të lozin.”
Banor: “Nuk ka vënë asnjë njeri dorë, unë po bëj rreth 5 vjet që i kam bërë shtëpitë, siç e shihni ujërat e zeza derdhen sa andej-këndej.
Nga ana e shërbimit të epidemiologjisë dhe higjienës në drejtorinë e shëndetit publik bëhet e ditur se kjo situatë vazhdon prej vitesh. Ndërkohë që nga specialistët kjo zonë konsiderohet e ndotur dhe burim sëmundjesh.
Luan Bejko: “Ndërtesat janë bërë pa leje dhe në një kohë që ky problem ekziston. Përderisa ekzistojnë kanalet e hapura edhe mundësia e infeksionit qëndron në qoftë se njerëzit do të marrin kontakt me këtë mjedis.”
Zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi pritet ta japë bashkia e Korçës e cila ka filluar zbatimin e projektit për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza. I cili do të përfundojë vitin e ardhshëm./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi