Koreja e Veriut ka bërë provokimin e saj të radhës pas testimit të bombës me hidrogjen. Kësaj radhe, shteti komunist ka nxjerrë në bregdet një raketë balistike ndërkontinentale. Lajmi është bërë i ditur nga një media e Koresë së Jugut, që citon një burim të paidentifikuar të inteligjencës.

Sipas medias “Asia Business Daily”, raketa ndërkontinentale u zhvendos drejt bregdetit të hënën gjatë natës për të shmangur mbikëqyrjen. Raketa balistike është vendosur në anën perëndimore të bregdetit të shtetit komunist, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut nuk ka konfirmuar ende këtë informacion.

Pas testimit bërthamor të së dielës nga Koreja e Veriut, Koreja e Jugut ka forcuar masat ushtarake duke simuluar sulme ndaj shtetit komunist. Kina, partneri i vetëm tregtar i Koresë së Veriut, dënoi testimin e bombës me hidrogjen dhe tha se “një hije e errët po i afrohet botës”.

Ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump zhvilloi biseda telefonike me Kryeministrin e Japonisë, Presidentin e Koresë së Jugut dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel. Shtëpia e Bardhë deklaroi se “të gjitha mundësitë janë të hapura pas kërcënimit të Koresë Veriore”. Koreja e Jugut ka kërkuar nga SHBA që t’i japë armë më të fuqishme.

/tvklan.al