Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kori i ushtrisë amerikane në Europë, u krijua në vitin 1963, për të ngritur moralin e trupave dhe për të zgjeruar kuptimin ndërkulturor përmes shfaqjeve muzikore. Ardhja e këtij kori në Tiranë, u bë e mundur në saj të ftesës së ambasadorit amerikan në Tiranë Limpreht.
Ambasadori Josef Limpreht:- “Dëgjuam që grupi, do të jepte shfaqe për trupat e KFOR-it që janë në Maqedoni dhe sapo e mësuam këtë gjë, menduam që ishte një ide e mrekullueshme, të mund t’i bindnim që të vinin në Shqipëri. Ardhja e këtij grupi në Shqipëri është një ndryshim i jashtëzakonshëm mbi mënyrën se si shikohet Shqipëria, si ka ndryshuar në sytë e atyre që janë jashtë dhe kryesisht të amerikanëve. Ky grup jep shfaqe në të gjithë Europën, Shqipëria është në procesin e integrimit në Europë, kështu që ka kuptim që janë këtu”.
Të drejtuar nga kapiteni Milbor, 25 anëtarët e këtij kori, kanë dhënë shfaqe për shokët e tyre ushtarë, funksionarë të lartë, kryetar shtetesh dhe pjesëtar të familjeve mbretërore. Edhe në sallën e Pallatit të Kongreseve, ata kanë dhënë një koncert për personalitete të politikës, ushtrisë dhe artit shqiptar./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora