Bashkimi Europian do ta ndihmojë Shqipërinë me fonde në luftën kundër COVID-19. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka bërë të ditur se 4 milionë Euro do të shkojnë për pajisjet mjekësore dhe për të mbështetur personelin shëndetësor në krye të detyrës.
11 milionë Euro të tjera do të shkojnë për mbrojtjen sociale sipas ambasadorit, ndërsa mbi 35 milionë Euro do të shkojnë për rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Bashkimi Europian është gjithmonë me Shqipërinë në kohë nevoje”, shkruan Soreca në rrjetet sociale.
Menjëherë pas këtij lajmi reagoi Kryeministri Edi Rama.
“Bashkimi Europian i akordon Shqipërisë 50 milionë euro për luftën kundër COVID-19. Zoti i shqiptarëve është i madh”, shkruan ai në Facebook.
Edhe Presidenti Ilir Meta reagoi duke thënë se është “një ndihmë e çmuar në betejën kryesore për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë”.
Edhe kreu i PD-së Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për këtë ndihmë të BE-së në këto ditë të vështira.
“Nuk jemi vetëm”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Më herët, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi tha se BE do ta mbështesë Ballkanin Perëndimor në këtë kohë krize.
Ai paralajmëroi 30 milionë euro si përgjigje e shpejtë për pajisje mjekësore, ndërkohë që theksoi se po konsiderohen masat për të lehtësuar impaktin negativ në ekonomi të kësaj krize. /tvklan.al