Banorët e parkut kombëtar: Nuk protestojmë dot, ndaloni ndërtimet
Nga një ujë i kulluar dhe i kaltër, kështu është shëndërruar uji i lumit të Zallit të Melthit në Zall-Gjoçaj, pasi kompania koncesionare ka nisur të enjten punimet për ndërtimin e hidrocentraleve.
Shqetësimi ngrihet me anë të një njoftimi për mediat nga Aktivistët për Mbrojtjen e Parkut Zall-Gjoçaj, në emër të banorëve të Matit, pasi ata vetë nuk dalin dot në protesta për shkak të masave të kufizimit në lëvizje nga Covid-19.
Në pamundësi për ta mbrojtur parkun me gjykatat e mbyllura dhe në pamundesi për t’u organizuar në terren, banorët kërkojnë publikisht ndalimin e punimeve për HEC-et, derisa të ketë një vendim përfundimtar nga gjykata.
Ata kanë protestuar disa herë duke kundërshtuar projektet, pasi me futjen e lumit në tubacione jo vetëm që do të shkatërrohej ekosistemi, por nuk do të kenë më ujë për të pirë as për vete e as për kafshët.
Parku Kombëtar Zall-Gjoçaj, i cili ndodhet brenda territorit të Bashkisë Mat, në verilindje të Shqipërisë dhe ndan kufirin me Parkun Kombëtar Lurë në veri, me një sipërfaqe prej 140 hektarësh u përcaktua si Park Kombëtar në vitin 1996.
Sipas një studimi të kryer nga një projekt i agjencisë zvicerane, nëse projekti për ndërtimin e HEC-eve do të realizohej, ndikimi do të ishte negativ mbi florën dhe faunën e zonës.
Marrja e ujit në masën pothuaj 97% sipas ketij studimi krijon premisa për një konflikt të hapur mes kompanisë dhe rreth 10.800 banorëve të 11 fshatrave, të cilët do të privohen nga e drejta për ujë të pijshëm, për bujqësinë, blegtorinë e bletarinë.
Nga ana tjetër devijimi i ujit do të shkëpuste lidhjet gjatësore të ekosistemit, duke prishur në mënyrë thelbësore ekuilibrat e tij dhe sidomos duke ndërprerë rrugët e migrimit të specieve.
Ndërkohë që ndikimet të tjera indirekte pritet të shfaqen në një periudhë afatmesme, të cilat lidhen me ndryshimin e kushteve mikroklimatike të zonës.
Këto ndryshime mund të shtrijnë me tej ndikimin edhe në bimësinë e zonës e sidomos në grupin e bimëve medicinale, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për banorët ë zonës.
Mungesa e ujit do të sillte edhe ndërprerjen e punës së gjashtë mullinjve historikë që i shërbejnë gjithë zonës në përpunimin e drithërave të bukës, ndaj kërkohet reagim i menjëhershëm i qeverisë që të anulojë përgjithmonë këtë kontratë.
Klan Plus