Një ditë pas dëshmisë së dhënë nga ish-zv/kryeministri në arrati Arben Ahmetaj për kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij, Sali Berisha thirri me urgjencë mbajtjen e një proteste kombëtare në 8 Shkurt.
”PD me datën 8 Shkurt fton protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria. Për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grup kriminelësh”, tha Berisha përmes një deklarate për shtyp.
Sipas kreut të demokratëve dokumentet e publikuara nga Ahmetaj faktojnë që Kryeministri është kreu i një organizate të mirëfilltë kriminale.
“Kur vetë hap shishe 33 600 Euro, Romane Conti, kur shkon në qendra detoksikimi 10 mijë euro java për personi bashkë me bashkëshorten, kur shpenzon 20 milionë euro me avion taksi, kur blen një vazo 5 milionë euro sikur të ishte sheik apo sulltan. Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë trajtuar sikur të kishin private 12 miliardë Euro në punëra publike. Je aq i pashpirtë”, tha Berisha.
Intervista e tretë e dhënë nga Ahmetaj e ka bërë edhe të ndryshojë mendim ndaj këtij të fundit, të cilin teksa e përgëzon për dëshminë e dhënë e fton të mos i drejtohet SPAK-ut.
“Arben Ahmetaj, atje ku është, i rrezikohet jeta, unë s’i them të kthehet në Shqipëri. Ka fol me guxim të madh, paraqiti dok, faturat tatimore, shërbimi i tij është i jashtëzakonshëm, nuk bëj avokatin e tij, por kujt t’i dëshmojë, një krimineli që kryeson Skrapin e partisë dhe që fsheh çdo krim të Edi Ramës, bëhet mburojë e krimeve të tij? Si mund të dëshmojë para Altin Lalës ai? Çfarë dëshmie do për implikimin e familjarëve të Edi Ramës në Porto Romano kur janë dokumentet? Unë besoj se Arben Ahmetaj ka folur me guxim shumë të madh. Çfarë dëshmie mungon për Erion Veliajn dhe djegësin 130 milionë euro që nuk ekziston gjurmë, as nam dhe as nishan?”, tha Berisha.
Një ditë pasi Kryeministri Rama hodhi poshtë lajmin se Shqipëria do të presë 100 mijë palestinezë, reagoi edhe kreu i opozitës.
“Kjo oshëtimë ka tre muaj që qarkullohet nga oligarkët e Edi Ramës, që u thonë klientëve se Rama do na sjellë palestinezë për të blerë apartamentet”, tha Berisha.
Sipas Berishës, Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet për trajtimin e emigrantëve palestinezë.
Tv Klan