Mjeku urolog Kastriot Dautaj i arrestuar për korrupsion nuk është i vetmi që përfiton para në mënyrë abuzive nga pacientët. Qytetarët janë ata që deklarojnë se pa para nuk mund të marrësh asnjë shërbim në spital.
Qytetarja 1: “Për shembull unë doja të bëja një operacion këtu dhe meqë donin më shumë para dhe vonin ma shtynë deri në një muaj operacionin. U detyrova pastaj e bëra jashtë shtetit.”
Qytetari 1: “Paraja jepet në çdo vend si të privati si tek shteti, tek ai shtetërori prapë ti do japësh se s’bën se kushton jeta.”
Por sa të afrohesh në ambientet e spitalit ndodh krejt e kundërta. Të afërmit e pacientëve kanë frikë të denoncojnë korrupsionin e mjekëve.
Gazetare: Sa para paguat për operacionin?
Qytetari 2: “Nuk kemi paguar asnjë lek.”
Qytetari 3: “Asnjë lek.”
Gazetarja: Si ju duket shërbimi mjekësor?
Qytetari 3: “Shumë bukur.”
Ndërsa jashtë saj ata deklarojnë se paguajnë para për çdo shërbim që iu ofrohet.
Qytetarja 2: “Pa para tha ai nuk kërcen dot, në fund ke gjobën.”
Gazetarja: “Asnjë qytetar nuk arrin të denoncojë përpara kamerave korrupsionin e mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Jashtë saj të gjithë shprehen se nëse do të drejtohesh në dyert e spitalit duhet të kesh para patjetër me vete. Por përpara saj askush nuk guxon ta bëjë këtë deklaratë dhe kjo për arsyen e thjeshtë, ata ngurojnë nga mjekimi që do të marrin më pas nga ai mjek që do të denoncojnë.”
Madje qytetarët kanë frikë të denoncojnë mjekun që u kërkon ryshfet edhe në drejtorinë e spitalit. Në zyrën e ankesave paraqiten 10 të tilla në ditë, por asnjëra nuk jep emër konkret të mjekut që nuk ju shërben apo ju kërkon para.
Erida Luha: “Në përgjithësi denoncohet, thuhet që na mungon shërbimi, nuk na shërbejnë, na kërkojnë para. Kur vjen puna që neve kërkojmë emra konkret, ose denoncime konkrete këtu shohin dhe njëfarë ngurrimi nga ana e pacientëve. Nuk e di pse e kanë këtë lloj ngurrimi, ndoshta mendojnë që do t’ju mungojë më pas shërbimi.”
Në këtë mënyrë korrupsioni bluzave të bardha mbetet i pandëshkuar, derisa qytetarët kanë frikë ta denoncojnë atë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami