Pranga në QSUT, këtë radhë shijen e tyre të hidhur e ka provuar një prej kirurgëve më me emër në Shqipëri në operimin e veshkave me gradën Prof. Dr. Kastriot Dautaj.

Klodian Branko: “Arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë për vepra penale të korrupsionit pasiv nga personat që ushtrojnë funksionet publike, shpërdorim detyre dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Nga hetimet paraprake të kryera me metodat speciale të hetimi, ka rezultuar se shtetasi Kastriot Dautaj me profesion kirurg, ka marrë shumë  e 500 mijë lekëve kundrejt një operacioni në spitalin numër 2. Hetimi i kësaj çështje ka filluar disa muaj më parë dhe janë vërtetuar shumë raste ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente.”

Hetimet janë transferuar nga zyra e Prokurorisë së Tiranës në disa banka shqiptare, ku mendohet se ndodhen edhe shumë llogari të tjera bankare.

Anduena Llabani: “420 mijë euro nuk ishte e vetmja shumë bankare që Prof. Dr. Kastriot Dautaj kishte depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Prokurorë të krimit ekonomik të cilët janë duke hetuar këtë çështje deklarojnë për Tv Klan se janë duke punuar për të identifikuar të tjera llogari bankare  në emër të Dautajt, ku lekët arrijnë në shumë marramendëse.”

Operacioni  i koduar “Veshka e humbur” në fakt flet për një tjetër episod që ka për protagonist po këtë kirurg. Disa muaj më parë dyshohet se ky mjek, i ka hequr padijeni veshkën një pacienteje, çka çon në dyshime të forta për trafik organesh njerëzore.

Klodian Branko: “Shumë prej pacientëve që paraqiten në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika të tjera private në të cilat ishte i punësuar në punë të dytë kundrejt përfitimeve të paligjshme.

Anduena Llabani: “Korrupsioni tek bluzat e bardha tashmë është gjëja më e përfolur në Shqipëri. Të gjithë i nënshtrohemi një rregulli të pashkruar, paguajmë ryshfet për të patur në këmbim një shërbim mjekësor. Po a mund të luftohet një korrupsion i tillë? Arrestimi i mjekut më të njohur në Shqipëri na bën të kuptojmë se çdo qytetar nëse merr kurajën dhe e denoncon atë, atëherë ai edhe mund të mundet, për Tv Klan, Anduena Llabani./tvklan.al

 Gazetare: Anduena Llabani