Në vijim të reformës së pensioneve, Edi Rama thotë se dora e hekurt e ligjit nuk do të kursejë asnjë biznes që fsheh pagat reale. Nga podkasti I rradhës paralajmëroi se askush nuk do I shpëtojë forcës së ligjit, teksa në ndihmë të aksionit kundër informalitetit do të vijë edhe Inteligjenca Artificiale.

“Nëse do t’i fshehësh pagat, ke një mijë mënyra. Por me gjithë sa kemi bërë me Inteligjencën Artificiale në fiskalizim, do ta kemi më të lehtë. Nuk duam të rëndojmë biznesin me kontrolle apo goditje, që shpesh bëjnë më shumë dëm sesa fitim. Nuk diskutohet që do ta bëjmë luftën kundër informalitetit. Është proces që nuk mbaron.”

Kryeministri shpjegon arsyet se përse në tre mandate qeverisje ishte e pamundur një rritje e pensioneve.

 “Nga 2013-a e deri sot, kemi nxjerrë nga e zeza, formalizuar e futur në skemën e sigurimeve shoqërore 300 mijë punonjës. Ka ende shumë akoma që duhet bërë. Duam të shtyjmë fort në këtë moment formalizimin e pagave.“

Foli për një korsi të re në këtë proces, përmes së cilës tha se synon t’u japë më shumë të moshuarve dhe se hapi i parë thotë se do të hidhet me bonusin e fundvitit.

“Kemi marrë vendimin të hapim një korsi të re për pensionet. Do të fillojmë me një qasje agresive për t’u dhënë më shumë pensionistëve, duke nisur nga bonusi i fundvitit. Kemi plan për një rritje më domethënëse sesa ka qenë rritja nga indeksimi, edhe pse po të shikojmë pensionet nga u nisën, pavarësisht se janë shumë të vogla, rritja ka qenë domethënëse, por e papërfillshme në raport me sa u rritën pagat dhe rritja ekonomike.”

Më herët Rama ka paralajmëruar se një ndër masat që qeveria e tij synon të ndërrmarrë për pensionistët është edhe ulja e çmimit të energjisë.

Tv Klan