Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ngjarja e bujshme të arrestimit të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, ka bërë që presidenti jugosllav Voisllav Koshtunica, të dalë në një konferencë për shtyp, për të shpjeguar situatën. Koshtunica u përpoq të ndajë çështjen e arrestimit të Millosheviçit nga ndihma ndërkombëtare. Sipas tij mes të dyja çështjeve nuk ka lidhje.

Koshtunica kërkoi sqarime nga gjykata e Hagës, nëse në gjyqin e kërkuar prej saj për Millosheviçin, duhet të ketë edhe gjyqtarë jugosllavë ose jo. Ndërsa nga ana tjetër ai ka thënë se ndihma e dhënë është shumë e vogël në krahasim me dëmin shkaktuar Jugosllavisë nga bombardimet e NATO-s. Ndërkaq është bërë e ditur se përpara arrestimit, Millosheviçi ka kërkuar dhe i është dhënë një dokument me shkrim, ku thuhet se arrestimi në bazë të akuzave për korrupsion dhe abuzim pushteti, nuk do të thotë një hap drejt transferimit të tij në Hagë./tvklan.al