Lajme Arkiva 2003

Kosova përbënte një kapitull më vete në raportin që Komisioni Evropian sapo ka publikuar në situatën ekonomike në vendet e Ballkanit perëndimor. Ajo radhitet në një krahë me vendet e tjera të Evropës Juglindore si Kroacia, Bosnja, Jugosllavia, Shqipëria dhe Maqedonia. Madje Kosova renditej në këtë raport të titulluar tranzicioni në Ballkanin perëndimor në krye të listës përsa i takon rritjes ekonomike gjatë viteve 2001-2002.

Por papunësia deri në 50% e popullsisë e aftë për punë si dhe deficiti i lartë tregtar duket se e errësojnë këtë tablo optimiste. Në raportin e komisionit evropian në pjesën për Kosovën, vihej theksi edhe në krizën energjetike që duhet të përballonte ajo si dhe në rëndësinë që ka privatizimi i ndërmarrjeve publike apo shtetërore.

Raporti i Komisionit Evropian i dyti i këtij lloji analizon kahjen dhe tendencat e zhvillimeve ekonomike në vendet e Evropës Juglindore sidomos gjatë këtyre 2-3 vitet e fundit. Stabiliteti politik së bashku me dhënien fund të konflikteve etnike duket se kanë ndikuar së fundmi në përparimin ekonomik në Kroaci, Kosovë, Jugosllavi, Bosnjë dhe Maqedoni.

Megjithatë vendeve ballkanike u duhet të kalojnë ende shumë sfida dhe vështirësi. Në këto sfida në raport nënvizohet nevoja për një luftë reale ndaj korrupsionit dhe krimit  të organizuar, përfundim i ciklit të privatizimeve si dhe reformat në sektorin publik dhe në administratë.

Në dokumentin e komisionit evropian nënvizohej se deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës UMNIK-u dhe qeveria duhet të punonin për të ndjekur kriteret e Bashkimit Evropian në reformat e proceseve politike, ekonomike dhe sociale.

Kjo është edhe arsyeja e krijimit vitin e kaluar të një mekanizmi kontrollues të procesit të asocim stabilizimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës nënvizohet në dokumentin e komisionit evropian./tvklan.al